Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha të premten se BE po shqyrton mundësinë për të vendosur sanksione të mëtejshme mbi Turqinë, pasi nuk ka ndëryshuar qendrim ndaj Greqisë.
“Unë mendoj se loja e maces dhe miut duhet të mbarojë”, tha Michel, duke iu referuar aktiviteteve të përsëritura të Turqisë në ujërat greke.
“Ne do të diskutojmë në samitin e Bashkimit Evropian më 10 dhjetor dhe ne jemi të gatshëm të përdorim mjetet që kemi në dispozicionin tonë”, tha ai.
Në periudhën e fundit, Turqia ka sfiduar Greqinë në Mesdheun Lindor, duke dërguar vazhdimisht një anije kërkimi të gazit në ujërat greke. Të dyja vendet janë anëtare të NATO-s dhe aleanca ka ngritur një “mekanizëm” për të ndihmuar ushtritë rivale të shmangin përplasjet aksidentale.
Por, një ndërmarrje diplomatike e drejtuar nga Gjermania ndaj Ankarasë ka treguar pak rezultate në zgjidhjen e problemeve thelbësore. Disa vende anëtare të BE-së, veçanërisht Franca dhe Greqia, po bëjnë presion për veprime më të ashpra ndaj Turqisë.
Vendet tjera të BE-së janë më të kujdesshme. Disa prej tyre kanë frikë se një përshkallëzim i raporteve mund të nxisë qeverinë e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, që edhe një herë të lejojë një valë refugjatësh të dyndet drejt kufijve të BE-së.