Exit.al i drejtoi, pak ditë më pare, Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë të BE-së, disa pyetje mbi rregullsinë e zbatimit të procedurave dhe çmimit të blerjes për rezidencën e Ambasadores Romana Vlahutin.
Zëdhënësja për Marrëdhëniet me Jashtë në Bashkimin Evropian Maja Kocijancic, iu përgjigj pyetjeve të Exit.al si më poshtë.
Zyrës Rajonale të Sigurisë EEAS (Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian) ka për qëllim rritjen e numrit të pronave të paluajtshme në pronësi të saj, qofshin këto godina për zyra pune ose rezidenca, nëse vlerësohet se është më e leverdisshme t’i blesh se sa t’i marrësh me qira.
Ajo shtoi gjithashtu se çështjet në lidhje me sigurinë duhet të merren parasysh.
Duke marrë parasysh ngadalësimin e procesit të zgjerimit të BE-së, në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kudo tjetër, duket qartësisht e arsyeshme, nga pikëpamja financiare, të zgjidhet një zgjedhje e përhershme për pronat e patundshme. Në fakt, Kocijancic konfirmoi se “BE zotëron rezidenca në pronësi të saj 21 vende, dhe parashikon blerjen e rezidencave në vende të tjera.”
Pyetjes mbi çmimin e lartë të paguar nga BE për rezidencën e Ambasadores Vlahutin, 1,64 milionë euro ose më saktë 4,700 mijë euro për metër katrorë, Kocijancic u përgjigj se:
Vendimi për të zgjedhur rezidencën e kreut të Delegacionit ishte përfundimi i një analize të përgjithshme, duke përfshirë studimin e tregut dhe vlerësimin e një eksperti të pavarur. Duke marrë parasysh çdo gjë, ne presim rritjen e kursimeve vjetore në krahasim me marrëveshjen e qerasë së viti të kaluar.
Natyrisht, këto kursime janë të projektuar në të ardhmen, ç’ka do të thotë se rezidenca në Rolling Hills blerë për 1,64 milionë euro do të vazhdojë të mbajë vlerën e saj. Gjithashtu mbetet e paqartë se cilat janë studimet e “studimit të tregut” dhe se kush është eksperti i pavarur i cili ka paraqitur vlerën, por mbetet çështja se rezidenca e Ambasadores Vlahutin është një nga më të shtrenjtat në tregun e shit-blerjes së pasurive të patundshme të blera në tregun shqiptar.
Prej kujt e bleu BE vilën?
Politika e re e EEAS për të blerë prona në vend që t’i marrë ato me qira, e bën procesin më të dobët ndaj korrupsionit. Në veçanti në ato vende ku tregu i shit-blerjeve dhe i ndërtimeve nuk është i lire, por pre e monopoleve dhe oligopoleve të lidhura ngushtë me interesat politikë.
Rezidenca luksoze e ambasadores, ku hyrja e dalja e banorëve monitorohet, ndodhet në kompleksin Rolling Hills, e ndërtuar nga një prej kompanive më të mëdha në vend.
E njëjta kompani po ndërton edhe projektin Green Coast në rivierën shqiptare, në Palasë. Kompania po përballet me akuzat e falsifikimit të dokumenteve të pronësisë në mënyrë që të vazhdojë me ndërtimin e kompleksit luksoz. Kohët e fundit Gjikuria shpk u gjobit me pesë milionë lekë gjobë nga Inspektoriati Shtetëror i Ujit, pasi përdorte materiale inerte nga bregdeti i Palasës për punimet e rrugës rreth kompleksit Green Coast, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis.
Kjo kompani, deri më tani, ka qenë e vetmja që ka përfituar nga ligji i ri për investimet strategjike, që i “shkurton” burokracitë investimeve të mëdha dhe i ofron atyre marrëveshje fitimprurëse tatimore. Green Coast është projekti i parë që u klasifikua si strategjik në korrik të 2016-ës, së bashku me projektin Vala Mar, në bregdetin e Gjirit të Lalzit.
Duke e blerë rezidencën e saj në kompleksin e një kompanie kaq pranë qeverisë, aq sa dhe Këshilli i Ministrave ka hartuar ligje specifike për të, Bashkimi Evropian ështw pwrfshirë në dinamikën e marrëdhënieve të dyshimta mes politikës shqiptare dhe interesave të kompanive të ndërtimit.
Vendimi i BE-së për të blerë një rezidencë luksoze tek Rolling Hills ka shkaktuar dëme të pariparueshme të imazhit të BE-së në Shqipëri dhe ka ngritur dyshime të konsiderueshme mbi qëndrimin e tij në luftën kundër korrupsionit.