BE: I takon institucioneve shqiptare të interpretojnë ligjet për emërimet në GJK

Nga Alice Taylor
BE: I takon institucioneve shqiptare të interpretojnë ligjet për emërimet në GJK

Delegacioni i Bashkimi Europian në Tiranë ka deklaruar se është në dorë të  institucioneve shqiptare për të interpretuar Kushtetutën dhe ligjin dhe për të vendosur në lidhje me emërimin e anëtarëve të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Siç ka raportuar më parë Exit News, neni 125 i Kushtetutës parashikon që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen nga një listë me tre kandidatë të renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësisë.

Neni 125 i Kushtetutës parashikon se:

“Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit.”

Kjo gjë përforcohet në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ku në nenin 7/c parashikon procedurën si zgjidhen anëtarët e GJK nga Presidenti i Republikës.

“Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës.”

Po ashtu, pika 5 e këtij neni parashikon se Komisioni i Ligjeve organizon seanca dëgjimore me kandidatët dhe më pas harton një listë me tre emra të cilat i dërgon në seancë plenare për tu votuar me 3/5-at e votave.

E njëjta procedurë vlen dhe anëtarët e zgjedhur  nga Gjykata e Lartë.

Kështu KED duhej të përpilonte një listë me tre emra për secilën garë, në mënyrë që gara të konsiderohej e vlefshme. Në të kundërt, KED duhet të njoftonte institucionin që organizon garë, Kuvendin, Presidentin ose Gjykatën e Lartë për të rihapur garën.

Kjo procedurë nuk ka ndodhur për tre rastet e fundit të të emëruarve në gjykatë.

I pyetur nga Exit News nëse Delegacioni i njeh shkeljet dhe nëse e konsiderojnë të pranueshme që Gjykata Kushtetuese të formohet në një mënyrë antikushtetuese, ose nëse ata e kanë adresuar këtë çështje me institucionet përkatëse, Delegacioni u shpreh:

“U takon institucioneve shqiptare të interpretojnë kornizën ligjore, duke marrë parasysh indikacionet e dhëna nga opinioni i Komisionit të Venecias të qershorit 2020.”

Ata shtuan se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është institucioni kompetent për të vlerësuar kandidatët për Gjykatën dhe më pas institucionet përkatëse të mandatuara nga Kushtetuta duhet të bëjnë zgjedhjen përfundimtare në përputhje me legjislacionin përkatës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>