Bashkimi Evropian do t’i japë €411 milionë vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i mbështetur në luftën që po bëjnë kundër koronavirusit.
Lajmin e njoftoi eurokomisioneri përgjegjës për zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi, i cili pohoi se mbështetjen financiare ua kishte komunikuar Ministrave të Jashtëm.
Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të përfitojnë €38 milionë ndihma direkte për sistemin e shëndetësisë dhe €373 milionë për ripërtëritjen e ekonomisë.
Për Shqipërinë, Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca njoftoi të martën se do të jepen €50 milionë, nga të cilat €4 milionë do të jepen direkt për të ndihmuar sistemin shëndetësor.
Ambasadorja e BE-së në Kosova, Nataliya Apostolova njoftoi se Kosova do të përfitojë €68 milionë, €5 milionë do të jepen direkt për të ndihmuar sistemin shëndetësor, €50 milionë për ekonominë dhe €13 milionë për të ndihmuar buxhetin.
Për vendet e tjera:
- Serbia do të përfitojë €93 milionë, – €15 milionë për materiale mjekësore dhe €78 milionë për ekonominë.
- Maqedonia e Veriut do të përfitojë €66 milionë – €4 milionë direkt për shërbimin shëndetësor, €50 milionë për ekonominë, €9 milionë për biznesin dhe €3 milionë për buxhetin.
- Bosnje-Hercegovina, €57 milionë – 7 milionë për materiale shëndetësore dhe deri në €50 milionë për ekonominë.
- Mali i Zi do të përfitojë €53 milionë, – €3 milionë direkt për sistemin shëndetësor, €50 milionë për ekonominë.