Bashkimi Evropian mbështet krijimin e nismës Open Balkans nëse kjo ndihmon në krijimin e tregut Rajonal, ku përfshihen të gjithë vendet e rajonit. Zëdhënësja e BE-së Ana Pisonero në një reagim për gazetën Ekspress u shpreh se:
“Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, […]. Një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”.
Bashkimi Evropian ka parashikuar rreth 30 miliard € investime në Ballkanin Perëndimor, nëse vendet e rajonit bien dakord të punojnë së bashku.
“Ne gjithashtu po investojmë shumë në mbylljen e hendekut ekonomik dhe të ndihmojmë me rimëkëmbjen pas COVID-19. Plani ynë Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor me vlerë afër 30 miliardë € mund të ndryshojë lojën. Por Plani do të funksionojë vetëm nëse rajoni funksionon si një i vetëm,” shkroi Varhelyi në rrjetin Twitter, në korrik.
Po ashtu, BE-ja kërkon që Tregu i Përbashkët Rajonal të bëhet realitet.
“Vendosja e Tregut të Përbashkët Rajonal duhet të bëhet realitet – Shpresoj në udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor të mbajnë premtimet,” shkroi sërish Varhelyi.
6 vendet e rajonit nënshkruan krijimin e tregut të përbashkët rajonal (CRM) në nëntor 2020 – një iniciativë që synon krijimin e një zone rajonale për tregtinë, investimet, digjitalizimin, industrinë dhe inovacionin, që do të sillte të gjithë rajonin më pranë BE-së.
Rezultati i tij i parë ishte heqja e tarifave të roaming-ut në Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga korriku 2021.
Nisma Open Balkans, një iniciativë tjetër, më e vogël, e nisur vitin e kaluar nën emrin mini-shengen nga udhëheqësit e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut – bazohet në vullnetin politik të anëtarëve të tij për vendosjen e 4 lirive të BE-së mes tyre pa mekanizma mbikqyrës nga jashtë.Megjithëse e krijuar me herët se
Tregu i Përbashket Rajonal (CRM) nën ombrellën e Procesit të Berlinit, nisma Mini-Shengen, tashmë e pagëzuar me emrin Open Balkan, duket se synon të permbushë njërën nga 5 shtyllat e CRM – krijimin e tregut të përbashkët.
Krijimi i tregut rajonal gjithëpërfshirës mbështetet edhe nga SHBA-të.