Mungesa e grupimit më të madh opozitar në zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe ato lokale në Serbi nuk ka shqetësuar Bashkimin Europian, pavarësisht gjetjeve paraprake të vëzhguesve të OSBE/ODIHR që theksonin se “dominimi i partisë në pushtet rrezikon neutralitetin e institucioneve të vendit”.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së dhe Zv.presidenti Josep Borell dhe Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Oliver Varhelyi në një deklaratë të përbashkët njohën “limitimin e votuesve serb për shkak të avantazhit dërrmues të partisë në pushtet, që mori pjesën kryesore të hapsirës mediatike”.
Por pavarësisht ksaj, Borrell dhe Varhelyi theksojnë se Bashkimi Europian mezi pret të bashkëpunojë me qeverinë e re për të ndërmarrë reformat e nevojshme për integrimin europian të Serbisë.
“Ne nxisim udhëheqësit serb të angazhohen në dialog ndërpartiak të mirfilltë dhe mbështesim plotësisht procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Europian.”
Një tjetër deklaratë, ajo e deputetëve të Parlamentit Europian, Tanja Fajon (Aleanca progresiste e Socialsitëve dhe Demokratëve) dhe Vladimir Bilčík (PPE, Kristiandemokrat) tregon gatishmërinë e unionit për të punuar me qeverinë e re Serbe pavarësisht “mungesës së partive parlamentere pro-evropiane në bllokun e opozitës.”
Kjo, sipas tyre, nuk duhet të minojë vendosmërinë pro-evropiane të Serbisë dhe aspiratat e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.”
Pjesmarrjen më të ulët në votime që nga viti 2000 dhe ndryshimi kryekëput i përbërjes së parlamentit serb – ku 2/3 e deputetëve vijnë nga një parti politike – europarlamentarët e shohin si sfidë të rëndësishme për qeverinë e ardhshme në Serbi.
Fajon dhe Bilcik ishin pjesë e grupit të BE-së që në 2019-ën nisën ndërmjetësimin e bisedimeve ndërpartiake në Parlamentin serb, për adresimin e një sërë çështjesh zgjedhore të cilat shtynë opozitën të shpallnin bojkotimin e zgjedhejve.
Urime shprehu edhe kreu i Partive Popullore Europiane, Donald Tusk, për partinë Progresiste Serbe të Presidentit Aleksandër Vuçiç. “Rezultati është provë e besimit të qytetarëve dhe efikasitetit tuaj”, shkruan Tusk.
Serbia zhvilloi zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale më 21 Qershor, pa pjesmarrjen e grupimit më të madh opozitar, që bojkotoi zgjedhjet me pretendimin se ato nuk ishin as të lira dhe as të drejta.