Në ndryshim nga dy vjet më parë, kur Komisioneri Avramopoulos erdhi në Shqipëri për nëshkrimin e një marrëveshje për ruajtjen e kufijve të BE-së nga emigrantët sirianë — sot ai erdhi dhe nënshkroi një marrëveshje për ruajtjen e kufijve të BE-së nga emigrantët e paligjshëm dhe krimi i organizuar shqiptar.
“Ne duhet të ulim numrin e atyre që abuzojnë me liberalizimin e vizave. Të gjithë duam ta ruajmë dhe që të vazhdojmë ta kemi liberalizimin e vizave. […]. Kjo marrëveshje do të sigurojë një menaxhim më të mirë të emigrimit të paligjshëm, në interes të përbashkët të Shqipërisë dhe BE-së,” — u shpreh Eurokomisioneri Avromopulos duke treguar se sot për vendet e BE-së, emigracioni i paligjshëm shqiptar dhe shkelja e liberalizimit të vizave është problem shqetësues.
Eurokomisioneri foli edhe për shqetësimin e krimit të organizuar, drogës dhe terrorizmit shqiptar drejt BE-së, duke u shprehur se:
Ashtu si dhe me çështjen e terrorizmit, krimi i organizuar, rrjetet e drogës nuk i njohin kufijtë. Këto përpjekje mund të bëhen efikase vetëm nëse bashkëpunojmë në mënyrë të koordinuar.
Sot kemi nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimit që ka të bëjë me luftën kundër drogës. Shqipëria në të ardhmen do të ketë mundësi të ketë akses në fondet që kanë të bëjnë me politikat kundër drogës.
Pas publikimit të raportit të zgjerimit javën e shkuar, ku u theksuan sërish prioritet kryesore për hapjen e bisedimeve me BE-në si — lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i institucioneve demokratike dhe zhvillimi ekonomik — duket se ardhja e Eurokomisionerit Avramopoulos në Shqipëri dhe nënshkrimi i marrëveshjes është një masë direkt që BE po ndërmerr për të ndaluar emigracionin e paligjshëm dhe drogën që po i vjen nga Shqipëria.