BE merr veprime ligjore kundër Britanisë për zgjatje të Brexit

BE merr veprime ligjore kundër Britanisë për zgjatje të Brexit

BE ka filluar zyrtarisht veprime ligjore kundër Mbretërisë së Bashkuar, me pretendimin se Boris Johnson ka thyer ligjin ndërkombëtar për zbatimin e Brexit.

Është hera e dytë në gjashtë muaj që Brukseli ka filluar procedurat e shkeljes kundër Mbretërisë së Bashkuar për Brexit.

Hera e parë ishte vitin e kaluar, pas kërcëimit të kryeministrit britanik për të anashkaluar një pjesë të marrëveshjes së tërheqjes nga BE, përmes ligjit mbi tregun e brendshëm.

Veprimet mund t’i çojnë palët para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe të sjellë ndëshkime financiare dhe sanksione tregtare.

BE ka akuzuar Mbretërinë e Bashkuar për shkeljen e dispozitave të mirëbesimit në marrëveshjen e tërheqjes, pas vendimit të saj të njëanshëm dy javë më parë për të vonuar zbatimin e një pjese të protokollit të Irlandës së Veriut në lidhje me kontrollet e mallrave që transportohen nga Britania e Madhe në rajon.

Njoftimi zyrtar i padisë u lëshua me një letër shoqëruese nga nënkryetari i komisionit Evropian, Maroš Šefčovič, për ministrin e ri të Brexit David Frost.

Ai i bën thirrje Mbretërisë së Bashkuar të “korrigjojë dhe të përmbahet nga vënia në praktikë” e vendimit të saj të 3 marsit për të zgjatur periudhën e faljes së kontrolleve të mallrave të supermarketeve që kalojnë Detin Irlandez.

Një zyrtar i BE tha: “Mbretëria e Bashkuar duhet të ndalojë së vepruari në mënyrë të njëanshme dhe të ndalojë shkeljen e rregullave për të cilat ka firmosur“.

MB-së i është dhënë një muaj kohë për të paraqitur vëzhgimet e saj nën njoftimin zyrtar.

Nëse nuk arrin të hyjë në konsultime me mirëbesim, BE mund të nisë një mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve i cili, nëse nuk zgjidhet, mund “të rezultojë në vendosjen e sanksioneve financiare” ose pezullimin e marrëveshjes së tërheqjes në të gjitha aspektet, përveç marrëveshjes mbi qytetarët.

Šefčovič tha se “vendimet e njëanshme dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga Britania e Madhe mposhtin vetë qëllimin e saj dhe minojnë besimin midis nesh“.

Letra pretendon “shkelje të dispozitave thelbësore të ligjit të BE në lidhje me lëvizjen e mallrave dhe udhëtimet për kafshë të bëra të zbatueshme në bazë të protokollit për Irlandën dhe Irlandën e Veriut“.

Burimet e BE thonë se ata shpresojnë që veprimi ligjor do të “regjistrojë pakënaqësinë tonë” mbi vendimin e njëanshëm, por shpresojnë që çështja të zgjidhet përmes negociatave të mëtejshme mbi protokollin e Irlandës së Veriut.

Një zëdhënës i qeverisë britanike tha se lëvizjet për të zgjatur periudhën e faljes në mënyrë të njëanshme ishin “të ligjshme dhe pjesë e një zbatimi me mirëbesim” të protokollit, duke shtuar se ato ishin “hapa të përkohshëm, operacionalë” për të minimizuar prishjen e jetës së zakonshme.

Në atë që dukej të ishte një lëvizje për të qetësuar tensionet e shtuara, ajo tha se priste të “diskutonte çështjen në një mënyrë konstruktive brenda kornizës së komitetit të përbashkët “.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>