Bashkimi Evropian (BE), ambasada e SHBA-ve dhe e Britanisë në Podgoricë i kërkuan qeverisë së Malit të Zi të deklarojë se masakra e Srebrenicës në vitin 1995 ishte genocid.
Reagimi i përfaqësive të huaja erdhi pas një deklarate të ministrit të Drejtësisë dhe Pakicave në Mal të Zi, Vladimir Leposaviq.
Ai u shpreh se gjykata e OKB-së për krimet e luftës në Hagë, e cila klasifikoi masakrat e boshnjakëve nga Srebrenica si gjenocid, nuk kishte asnjë legjitimitet sepse kishte shkatërruar provat në lidhje me trafikimin e organeve të civilëve serbë në Kosovë.
BE dënoi mohimin apo relativimim nga qeveria e Malit të Zi të vrasjes së boshnjakëve në Srebrenicë nga ushtria serbe:
“Bashkimi Evropian refuzon dhe dënon çfarëdo mohimi, relativizmi apo keqinterpretimi të gjenocidit në Srebrenicë. Është koha që të gjithë liderët politikë në rajon të udhëheqin rrugën drejt respektimit të viktimave dhe promovojnë pajtimin”.
Ambasada e SHBA-ve në Podgoricë, në një postim në Twitter shprehu shqetësimin e saj mbi deklaratat e qeverisë për Srebrenicën. Ajo kërkoi dënimin pa ekuiovk të masakrës dhe e quajti atë, genocid.
Gjithashtu edhe ambasada britanike në Podgoricë I dënoi deklarata e qeverisë dhe tha se gjykatat ndërkombëtare kanë vendosur në bazë të fakteve se ngjarja ishte genocid.
Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës, drejtuar nga Ratko Mllaqiç, kanë vrarë 8372 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë, zonën që ishte e shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.