Zhvillimi i konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të varet nga puna për reformat e kërkuara, ndërsa konferenca me Maqedoninë e Veriut do të zhvillohet brenda vitit 2020.
Kështu ka deklaruar Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, gjatë Forumit Ballkanik Kundër Antisemitizmit.
Heiko Maas u shpreh:
“Kemi në plan që Konferencën e Parë të Anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut ta mbajmë para mbylljes së Presidencës Gjermane. Dhe, nëse kushtet do ta lejojnë, edhe me Shqipërinë.”
Ministri theksoi se BE-ja nuk mund t’i mbyllë sytë përpara problemeve që ka Shqipëria dhe ato që po shkakton në vendet europiane përmes emigrantëve të paligjshëm:
“Nuk mund t’i mbyllim sytë ndaj problemeve, që shkakton “rrjedhja e vazhdueshme e trurit” në Ballkanin Perëndimor,” u shpreh Maas duke iu referuar të dhënave të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, sipas së cilit 71 % e të rinjve në vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke marrë në konsideratë lëvizjen jashtë vendit.
Konferenca e Parë Ndërqeveritare shënon hapjen praktike të negociatave mes Shqipërisë e BE-së.
Në mars, bashkë me vendimin për hapjen e negociatave, Shqipërisë iu vunë disa kushte që duhet të plotësoheshin para zhvillimit të konferencës.
Progres raporti i publikuar më 6 tetor gjeti se Shqipëria ka plotësuar shumicën e kritereve për nisjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. I vetmi kriter që nuk ishte përmbushur, sipas raportit, është ngritja e Gjykatës Kushtetuese.