Sanksionet e Bashkimit Europian ndaj 40 zyrtarëve bjellorusë të akuzuar për manipulim votash dhe shtypje politike kanë hyrë në fuqi pasi liderët e bllokut europian zgjidhën një mosmarrëveshje me Qipron, që shkaktoi një vonesë në veprim.
Ngërçi erdhi pasi Qiproja këmbënguli që partnerët e saj në BE të mbanin një qëndrim të ashpër kundër Turqisë, për eksplorimin e saj në ujëra të diskutueshme në Mesdhe, përpara se të binte dakord për sanksione kundër Bjellorusisë.
Pas disa orësh bisedime, udhëheqësit ranë dakord për një deklaratë në mbështetje të Qipros dhe Greqisë dhe lëshuan një paralajmërim të ashpër për Turqinë, sipas të cilës ajo mund të përballet me masa ndëshkimore nëse vijon me punën e shpimit në det.
Presidentja e komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se ishte shumë e lumtur që më në fund sanksionet ndaj Bjellorusisë mund të vijojnë të aplikohen. Por lista përfundimtare e zyrtarëve bjellorusë që u nënshtrohen ndalimit të udhëtimit dhe ngrirjes së aseteve të BE-së, edhe pse parashikon 40 emra, nuk përfshin atë të Aleksandër Lukashenkos.
BE ka njoftuar se lideri bjellorus mund të përfshihet në listë në javën që vjen, nëse do të refuzojë të hyjë në bisedime me opozitën.
Kancelarja Angela Merkel pritet të takojë kryetaren e opozitës bjelloruse, Svetlana Tikhanovskaya.