“Pasuritë shqiptare në Austri konfiskohen pas një vendimi arbitrazhi”.
Ky është titulli i të përditshmes austriake Der Standard, e cila shkruan se qeveria shqiptare ka humbur një çështje arbitrazhi për shkak të shpronësimit të një stacioni televiziv – dhe nuk dëshiron të paguajë.
“Disa banka austriake dhe kompani energjetike kohët e fundit morën një letër të pazakontë. Një kompani ligjore pyet nëse ata kanë ndonjë pasuri ose asete nga Republika e Shqipërisë sepse ato duhet të konfiskohen.
Arsyeja është një çështje arbitrazhi, që investitorët italianë ngritën në 2015 kundër Shqipërisë dhe fituan. Gjykata e arbitrazhit ndërkombëtar në Qendrën për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) i dha atyre rreth 100 milion euro në kompensim në prill të 2019. Për shkak se qeveria në Tiranë refuzon të respektojë këtë vendim të arbitrazhit, pasuritë shqiptare që nuk mbrohen nga konventat diplomatike tani mund të konfiskohen në të gjithë botën.
Në Austri, një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Shqipërisë, firma ligjore Dorda ka marrë përsipër këtë detyrë dhe është përpjekur të mbledhë deri në 25 milion euro për llogari të Francesco Becchetti, një prej tre paditësve. Llogaritë dhe letrat me vlerë në shtatë banka, si dhe tarifat e koncesionit dhe pretendimet e tjera që Shqipëria ka nga Verbund dhe EVN për shkak të projekteve të termocentralit në vend, vihen në diskutim.”
Më tej gazeta shpjegon se vendimet e gjykatave të arbitrazhit janë të detyrueshme të zbatohen nga gjykatat e vendeve aderuese në Konventën ICSID ( Qëndra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve të Investimit), midis të cilave edhe Austria. Si rrjedhim, Gjykata e Qarkut të Vjenës lëshoi urdhrin e ekzekutimit në 10 nëntor 2020.
“Ai është ende duke pritur përgjigjet nga kompanitë në fjalë, të ashtuquajturat deklarata të borxhit të palëve të treta, raporton partneri i Dorda-s, Florian Kremslehner. Përveç Austrisë, ka procedime paralele në vendet e tjera të Evropës. Sapo shuma totale të jetë mbledhur, detyrimi konsiderohet i përmbushur.
“Procedura të tilla përmbarimore janë mjaft të rralla,” thotë Kremslehner për DER STANDARD, sepse shtetet zakonisht i pranojnë vendimet e arbitrazhit.
Sipas Der Standard qeveria shqiptare refuzon të paguajë me pretendimin se duhet pritur vendimi i apelit, por kjo nuk pengon aspak mbledhjen e dëmshpërblimit. Në fakt, lajmëron gazeta, ministria e financave në Tiranë tashmë ka buxhetuar 110 milion euro si detyrim.
Çështja e lirisë së shtypit
E përditshmja austriake ka prekur edhe një tjetër anë të çështjes, atë të cënimit të lirisë së medias, veçanërisht veprimet arbitrare të qeverisë shqiptare ndaj kompanisë mediatike të z. Becchetti.
“Çështja shqiptare është veçanërisht pikante sepse ka të bëjë gjithashtu me lirinë e shtypit, përkatësisht për kompaninë televizive Agonset, e cila, sipas mendimit të gjykatës së arbitrazhit, u shtetëzua sepse ishte tepër kritike ndaj qeverisë. Shpronësimi “ishte kulmi i një fushate politike kundër paditësve”, të cilët gjithashtu u ndoqën me procedime të diskutueshme penale”, shkruan ajo.
Artikulli mbyllet duke shpjeguar se mungesa e një sistemi gjyqësor funksional në Shqipëri i shtyn investitorët t’i drejtohen arbitrazhit në rast mosmarrëveshjesh dhe vendi ka humbur disa çështje tashmë “(Eric Frey, 26 nëntor 2020)
Përkthyer nga Rezearta Caushaj.