Intervista e para dy ditëve në Top Story e deputetit Pandeli Majko, dy herë kryeministër i vendit, shpjegon qartë konceptin bazë mbi të cilin bazohet filozofia politike e Partisë Socialiste.
Sipas Majkos pozicioni i shprehur nga deputeti Ben Blushi—për mungesën e respektit ndaj statutit dhe ligjeve të partisë—është i drejtë, pra, është e vërtet që Rama nuk ka respektuar rregullat e lojës. Por, Zoti Majko mendon se shkelja e ligjeve është e justifikuar nga situata e përgjithshme dhe qëllimi final, që është qeverisja e vendit dhe ndërtimi i shtetit.
Gjithmonë sipas Majkos, qoftë Zoti Berisha, vetë ai, Zoti Meta, dhe në fund Zoti Rama nuk mund të qeverisnin këtë vend pa qenë “kokëderra”.
Pra, sipas Majkos kur qeveriset është normale, edhe pse jo e ligjshme, të mos respektosh rregullat e statutit, ligjet dhe në fund Kushtetutën.
Kjo logjikë shpjegon dhe justifikon një sërë veprimesh dhe situatash që kanë turbulluar shqiptarët gjatë viteve të fundit: konçesione dhe tendera për miqtë e pushtetit; ligje kundër lirisë së shtypit; dekrete që anullojnë ligje; kongrese me dyer të mbyllura dhe pa transparencë. Logjika e Zotit Majko shpjegon e justifikon Gërdecin, 21 Janarin, pafajësinë e Zotit Meta, kriminelët në parlament.
Të gjitha janë zbatim parimit që ai propagandoi: nëse do të qeverisësh Shqipërinë, duhet të jesh “kokëderr” dhe të këmbëngulësh, pavarësisht ligjit dhe të drejtës.
Principi politik e filozofik i “kokëderrit” mund të përmblidhet dhe shpjegohet në terma më të thjeshtë: në modelin e “demokracisë” të propozuar nga Partia Socialiste fiton kush ka më shumë vullnet dhe aftësi për të nënshtruar e dominuar të tjerët.
E shprehur në mënyrë më elegante, me fjalët e Luigjit të XVI: “L’etat c’est moi!” — Shteti jam unë. Ky është shteti që rilindasit duan të imponojnë, shtetin ku ligji është “kokëderri”.
Ditën e vizitës në Tiranë të eurodeputëtëve Flankenstain dhe Kukan, mesazhi i Majkos është shumë i qartë, ndaj dhe shqiptarët po përpiqen për ditë të migrojnë në vendet nga vinë Kukan dhe Flanckenstain, duke lënë mbrapa krahëve Shqipërinë e “kokëderrave”.