Deputeti dhe themeluesi i partisë më të re LIBRA, Ben Blushi kundërshtoi sot publikisht ligjin e importit të mbetjeve. Duke folur nga foltorja e kuvendit, Zoti Blushi i kërkoi maxhorancës të shpjegojë se përse ligji, i kthyer në Kuvend nga presidenti Nishani, po hiqet qëllimisht nga axhenda e kuvendit.
Silleni ligjin në seancë [ligjin] e të ndahen në këtë parlament kush është pro importit të mbetjeve e kush kundër. E di pse nuk e sillni ligjin sot? Nuk është se nuk i keni votat, se vota keqbërësish ka me shumicë në parlament. Ju nuk e sillni për shkak të presioni popullor që është mbledhur tek dera e parlamentit e që ju nuk e respektoni!
Deputeti Blushi kundërshtoi pretendimet e Qeverisë Rama se ligji i importit të mbetjeve është cilësuar si “në përputhje me rregullat evropiane”.
Nuk besoj se BE mund t’i kërkojë Shqipërisë të hapë dyert për mbetjet e Evropës për aq kohë sa vendi ynë nuk ka kapacitetet për ta bërë këtë gjë. Për më tepër në Shqipëri ka më shumë mbetje seç i duhen kompanive të riciklimit. BE nuk mund të imponojë të hapësh dyert për tu kthyer në kazan plehrash.
Zoti Blushi përmendi ndotjen e ajrit dhe të ujit si një nga efektet kryesore që do të ketë importi i plehrave në Shqipëri, në rast se ligji miratohet.
Ai tha se numri i shqiptarëve të prekur nga kanceri po rritet dhe mosha e tyre po ulet gjithnjë e më shumë.