Kompania në pronësi të Amant Josifit që ka shitur shërbime financiare përmes një qendre telefonike (call center) në Shqipëri ka vepruar pa licensë nga Autoritei i Mbikqyrjes Financiare (AMF).
Edhe sikur akuzat për mashtrimet e saj ndaj qytetarëve të mos jenë të vërteta, ajo duhet të hetohet për zhvillim të aktiviteteve në të zezë në kundërshtim me ligjet shqiptare.
Sipas ligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, kompanitë që dëshirojnë të ofrojnë shërbime në fushën e investimeve kolektive, duhet të aplikojnë për licencë pranë AMF-së.
Deri më tani, sipas regjistrit online të AMF-së, nuk ka asnjë kompani që përdor call centera të licensuar për një veprimtari të tillë.
Për këtë arsye qytetarët duhet të kuptojnë se çdo lloj kompanie apo individi që u telefonon për t’u sugjeruar investime në monedha elektronike apo në aksione kompanish, duke premtuar shumëfishim të ardhurash, ky person apo kompania po veprojnë në mnëyrë të paligjshme, dhe me gjasa mund të jenë pjesë e ndonjë skeme mashtruse financiare.
Në disa shkrime, Exit News, bazuar në një hetim të thelluar të OCCRP dhe hulumtimet e veta, ka informuar rreth një skeme mashtruese përmes qendrave telefonike, të lidhura me një skemë ndërkombëtare mashtrimi ngritur nga kompania ukrainase Milton Group, e cila pretendon se merret me investime.
Në këtë skemë mashtrimi duket se është e përfshirë një call center në pronësi të Amant Josifit, që ushtron veprimtarinë në Shqipëri, e cila u telefonon qytetarëve për t’u kërkuar të investojnë në monedha elektronike, bitcoin, ose për të blerë aksione në kompani të ndryshme.
Ende nuk ka asnjë informacion se prokuroria apo autoritetet ligjzbatuese të kenë filluar hetime ndaj kësaj kompanie dhe personave të përfshira në këtë skemë.