Zyra e shtypit të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç njoftoi se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të vazhdojë të mbështesë Dialogun Kosovë-Serbi.
Të Premten, Vuçiç dhe Erdogan folën në telefon për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën.
“Presidenti Vuçiç shprehu pritshmërinë që Presidenti Erdogan dhe Turqia të vazhdojnë të mbështesin dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, si mënyra e vetme për të zgjidhur, për Serbinë, çështjen e ndjeshme të Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Telefonata vjen pasi Erdogan deklaroi se do të kërkojë bashkëpunimin e Biden për të rritur njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Vuçiç dha një përgjigje të menjëhershme, duke thënë se Serbia do të kundërshtonte planin e Erdoganit.
Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti janë takuar tashmë dy herë për të rifilluar dialogun Kosovë-Serbi nën drejtimin e Bashkimit Evropian, por palët janë në ngërç.