Deputeti socialist Ilir Beqaj ka paralajmëruar sot se hetimi për zbardhjen e vrasjes së Klodian Rashës mund të zgjasë pambarimisht.
Ish-ministri i Shëndetësisë u shpreh në një intervistë për ABC News, se qeveria nuk mund të priste përfundimin e hetimeve për t’i dhënë shpërblimin familjes së të riut që u vra nga efektivi i policisë.
“Hetimi mund të zgjasë pambarimisht. Do presim hetimin sa të japim shpërblimin? Ne mendojmë se është më e udhës të japim shpërblimin në radhë të parë.”, tha Beqaj.
Deputeti foli edhe për cilësimin e vrasjes si “aksidentale”. Ai argumentoi formulimin e qeverisë se polici nuk ka patur asnjë motiv të ligjshëm që të vriste Klodian Rashën.
“Vendimi i sotëm i qeverisë flet për një ngjarje aksidentale sepse të gjithë ne deri tani kemi thënë që nuk ka patur asnjë motiv të ligjshëm që polici të vepronte në atë formë. Hetimet mund të zgjasin edhe më shumë. Ne besojmë se shenja e parë e atij shpërblimi financiar dhe pse nuk e lan jetën e atij djalit që iku, është shprehje edhe e reagimit të qeverisë. Nëse është aksidentale apo e urdhëruar këto janë dy gjëra shumë të ndryshme. Nuk ka gjasa që të jetë e urdhëruar.”, tha ndër të tjera ish-ministri i Shëndetësisë.
Qeveria vendosi sot t’i japë babait të Klodian Rashës, një pension sa 8-fishi i pensionit social, ose gati 90 mijë lekë të reja. Por në vendimin e saj thuhet se i riu humbi jetën në mënyrë aksidentale.
Babai i 25-vjeçarit, ka thënë se kjo është vrasje për së dyti që i bëhet birit të tij.