Sali Berisha e këshilloi opozitën të bëjë protesta dhe të lexojë mesazhin e protestës së 2 Marsit. Në një bisedë me gazetaren ilva Tare në Euronews, ai tha:
“Mitingu i 2 mars duhet të lexohet mirë nga opozita. Qytetarët e thjeshtë janë të gatshëm t’i përvishen. Uroj që opozita këtë mesazh ta lexoj dhe t’i përgjigjet me një frymë, me veprime të ardhshme. Çdo ditë pa protesta është një ditë e humbur. Populli e rrëzon me revolucion, si në Bolivi”.
Ai u shpreh se veprimet e opozitës si dorëzimi i madateve dhe thirrjet për ndalimin e zgjedhjeve nuk e arritën qëllim për rrëzim e Kryeministrit Rama.
Zoti Berisha shprehu bindjen e tij se Presidenti duhet ta shpërndajë Kuvendin. Madje ai tha se Kuvendi duhet të ishte shpërndarë vetë me kohë, sepse nuk ka 140 deputetë të kërkuar nga Kushtetuta.
“Parlamenti duhet të ishte shkrirë vetë sepse nuk ka 140 deputetë të përcaktuar në Kushtetutë. Presidenti i Republikës duhet të shpërndajë Kuvendin”.
Ai e mbështeti vetingun e politikanëve dhe tha se do të ishte i lumtur vetingut të fillonte me të:
“Unë kam 125 metër katrorë apartament, të vijë kush të dojë. Po të kisha ndërtuar vila, unë duhet të merrja kredi dhe kredia nuk shkonte me statusin tim si kryetar opozite, si kryetar shteti”.
Zoti Berisha tha se “Reforma në drejtësi ka dështuar. Të gjitha institucionet e ngritura kanë drejtues në kundërshtim me parashikimet ligjore dhe kushtetuese”.