Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar betejë për të vendosur në vend dinjitetin e tij, procesin gjyqsor që ka vendosur të hapë ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.
Në një deklaratë të mërkurën, Blinken njoftoi shpalljen e Berishës dhe familjes së tij ‘non-grata’ për arsye se është i përfshirë në korrupsion dhe minim të demokracisë.
Sipas Berishës ky vendim cënon dinjitetin e tij dhe për këtë ai i është drejtuar gjykatës.
“Dinjiteti im është më i rëndësishëm se të gjitha këto. Dinjiteti është thelbi i njeriut. Jam përpjekur ta ruaj gjithë jeten”, tha Berisha.
Ish-kryeministri ngriti pyetjen se përse këto akuza ndaj tij bëhen 8 vite pasi ai është larguar nga pushteti ndësa i konsideroi se janë pa baza të vërteta.
“Në vlerësimin tim familjarët e mi, njëlloj si unë kanë respektuar ligjet. Kanë 8 vite akuza pa asnjë proces. Asnjë padi penale sepse kanë respektuar ligjin.”, deklaroi Berisha.
Berisha rikujtoi kohën kur hyri në politikë i frymëzuar nga kushtet e vendit ku sipas tij njerëzve iu mohohej dinjiteti.
“Dua të them me ketë që para dinjitetit nuk vë asgjë tjetër mbi tokë. Unë do rivendos dinjitetin tim në vend”, u shpreh Berisha.