Berisha: Keqkuptimi i marrëveshjes me Ramën shkaku kryesor i humbjes

Berisha: Keqkuptimi i marrëveshjes me Ramën shkaku kryesor i humbjes

Sali Berisha bisedoi sot në mbrëmje me gazetarin Çim Peka të portalit syri.net. Duke folur për humbjen e zgjedhjeve nga PD, Zoti Berisha fajësoi paaftësinë e Lulzim Bashës për të sqaruar marrëveshjen me Edi Ramën, si arsyen kryesore të humbjes, ndërkohë që vetë marrëveshjen ai e quajti një arritje të rëndësishme.

Të ardhmen e Sali Berishës në PD:

As kam ndërmend të dal nga PD. Lexoni deklaratën time: edhe një po ngeli, aty do jem, i dyti do jem.

Lista e deputetëve dhe të larguarit e PD-së:

Unë e kam theksuar që atëherë që unë do të kisha bërë një listë krejtësisht tjetër. I kam konsideruar dhe i konsideroj të pamotivuara largimet e disa eksponentëve të rëndësishëm të PD-së nga lista.

Kam theksuar që atëherë se kjo është listë e kryetarit, për herë të parë në historinë e Partisë Demokratike. Lista janë të partisë, kjo realisht ka qenë listë e kryetarit se nuk kaloi në forumet e partisë, jë që nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë më kurrë dhe s’duhet të ndodhë.

[N]uk kam qenë unë në listat e atyre që u larguan, kanë qenë ata në listën time. Kështu që unë pozicionin tim, e kisha ridimensionuar me kohë. Ata për mua kanë qenë bashkëpunëtorë të çmuar dhe unë jam vlerësues dhe falenderues për të gjithë bashkëpunimin që kemi pasur dhe mbetem në marrëdhënie miqësore me ta pa asnjë diskutim. Pastaj kur vjen problemi se unë te lista e atyre apo ata te unë është çështje tjetër.

Këta [zërat kundër në PD] kanë një kauzus ndaj tij dhe [Basha] duhet të gjejë mënyrën për t’i zbutur, për të arritur drejt një situate tjetër. PD në historinë e saj këtë ka. Ka histori ndarjesh, bashkimesh, tolerancash, të gjitha këto së bashku.

Marrëveshjen Rama-Basha:

Në rrafshin politik [marrëveshja] ishte në vlerësimin tim një fitore e shkëlqyer.

Ai [Edi Rama] e paraqiti atë si një sukses të vetin, e paraqiti atë si një mëshirë për një djalë të mirë si Lulzim Basha dhe marrëveshjes nuk iu bë avokatia në mënyrën e duhur nga Lulzim Basha.

Nëse marrëveshjen Rama e nisi për të dëmtuar Ilir Metën, mund të thuash që Ilir Meta nuk humbi nga marrëveshja. Ajo javë propagande elektorale, e rrebesheve ndaj LSI-së u tha shqiptarëve se shikoni ai është një opozitar i vërtetë.

Pasojat e marrëveshjes Rama-Basha:

[Basha] nuk e kuptoi që kjo ishte një puthje fatale për ne. Blloku kryesisht militant i PD-së na u largua nga fushata.  Ju po bëni koalicion, ne nuk kemi më punë me ju. Militantët janë aq sa janë jetik për fitoren aq janë dhë të hiperndjeshëm dhe pastaj, kur menduan se kjo mund të ndodhte, thanë ne s’kemi punë me këtë fushatë sepse ne mbajtëm çadrën 90 ditë, etj., ndërsa ata po bëjnë koalicionin. Ata nuk janë dakord me koalicionin. Kështu që u rrit në mënyrë paradoksale bojkoti i zgjedhjeve.

Në betejë, çdo kryetar partie ka këshilltarët e testimeve që janë kryesorët. Ata punojnë me fokus grupet. Ata testojnë çdo ditë mesazhin që ti jep. Ata ishin fiasko. Faktikisht ngjiste mesazhi i Edi Ramës. Pra ata të cilët e këshilluan Bashën, ata ishin fiasko. Studimi që i bënë ata fokus grupeve ishte fiasko, kjo është e vërteta. Lulzim Basha kishte këshilltarë mizerabël elektoralë.

Rrjedhja e votave pro Gramoz Ruçit:

Ky variant [vjedhja e votave për votimin e Ruçit] krijonte një problem. [N]e nuk mund ta zhvendosim fokusin nga ata që na tradhtuan.

Ndryshimet në statutin e PD-së:

Ndërhyrjet në statut janë të domosdoshme. Ndonëse duhet të them që statuti ka nene që janë shkelur.

Solli (Lulzim Basha) këtë humbje dhe të adaptojë një model që të çon drejt fitores. [M]undësia e ndryshimit është e çdo drejtuesi dhe se ndryshimi gjithmonë ka dhënë. A do ti realizojë këto Lulzim Basha është në dorën e tij.

I vetmi investim i imi është që unë i kam kërkuar kryetarit që duhen ndryshime statutore, që ti japin garanci të tjerëve se janë në një parti, në të cilën kryetari ka fuqitë e veta, por forumet kanë fuqinë e tyre.

Janë në një parti ku jo çdo gjë është në dorë të kryetarit. Sigurisht kryetari ka rol të madh, por ka edhe kufizimet e veta. Në këtë kontekst kjo varet nga Lulzim Basha i cili ka të gjitha mundësitë të shqyrtojë.

Gara Olldashi—Basha:

As Lulzim Basha dhe as i ndjeri Sokol Olldashi nuk janë thirrur nga Sali Berisha për të kandiduar.

Sokol Olldashi [… ] bëri një gabim të madh që më çuditi. Unë kam strukturat tha, ky [Basha] tha unë kam anëtarësinë. Mirëpo i ndjeri Sokol nuk e realizoi që strukturat drejtuese të partisë nuk ishin më ato që i donte anëtarësia, [….] nuk ishin ato që të bënin kryetar.

Çadra:

Çadra është një gjetje e shkëlqyer e Lulzim Bashës. Unë personalisht kam qenë për një taktikë tjetër.

Pati mendime që thanë se çadra ishte lëvizje popullore, por ajo ishte militanteske, strikt militanteske. Militantët për PD-në janë kërcelli i saj.  Ne nuk jemi parti ideologjike si PS-ja, ne jemi parti vlerash.

Ajo që i bind dhe ajo që është detyrë e kryetarit, është që me veprimet e tij, me vendimet e tij ai të konsiderojë para së gjithash stabilizimin e trupit të militantëve. Nuk ka parti pa militantë, ka lëvizje, si psh. Macroni në Francë.

Gramoz Ruçi dhe Fatmir Xhafa:

Gramoz Ruçi qëndron si simbol i policisë politike më terroriste të Europës. Me veprimet e saj, ka bërë që Europa ta krahasojë Enver Hoxhën me Hitlerin, ta quajë Enver Hoxhën, Hitleri shqiptar i pasluftës së Dytë Botërore. Tjetër. Kemi një arsye tjetër. Thuhet se Ruçi ka mohim të përjetshëm të vizës private për në SHBA. Pra ka një dënim nga qeveri amerikane ndaj këtij personi nga 2004-2005. Nëse kjo është e vërtetë kjo përbën një gjë shumë të rëndë.

Ai [Fatmir Xhafa] mban përgjegjësi. Nëse do të çlirohet nga përgjegjësia? Le ta arrestojë brenda 10 ditëve Agronin dhe ta çojë para drejtësisë italiane të bëjë dënimin.

Edi Rama këta njerëz do, sepse mendon se ua ka lidhur shpirtin krimi do të jenë më besnik. Por ka bërë llogaritë më të gabuara.

Zona e përbashkët ekonomike e Ballkanit:

[N]uk është modeli i një mini Jugosllavie, nuk ka trupë ekzekutive, trupë legjislative etj, por është modeli i një hapësire ekonomike.

Me kaq sa thuhet deri sot kjo është një hapësirë ekonomike rajonale dhe asgjë tjetër. Kush përfiton më shumë? Përfiton ai që prodhon më shumë dhe është më i pasur.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>