Banka Europianë për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bashkimi Evropian do të investojnë 100 milionë euro në Shqipëri, me anë të një program investimi për zonat turistike.
Zëvendës presidenti i EBRD Alain Pilloux, gjatë vizitës në Shqipëri, deklaroi se ky fond do të investohet kryesisht tek bizneset të vogla të sektorit të turizmit.
“Ne jemi duke përgatitur me qeverinë dhe BE një program inovativ, për të mbështetur rritjen e sektorit privat në Shqipëri, do të jetë një program i madh prej 100 milionë eurosh”, theksoi Pilloux.
Sipas Pilloux, ky program do ta ndihmojë sektorin e turizmit kryesisht përmes ndërtimit të rrugëve lokale dhe furnizimin me ujë në këto zona, do të sigurojë fonde për bizneset e vogla që operojnë në sektorin e turizmit, si dhe do të financojë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore.
Programi 100 milionë eurosh do të jetë një fond i përzier, ku gjysma e shumës është kredi e butë për qeverinë, ndërsa gjysma tjetër do të jepet në formë grantesh për bizneset.