Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) njoftoi këtë muaj se nga 1 janari 2020 do të kushtëzojë financimet e saj për ndërtimin e HEC-eve në bazë të politikës të re mjedisore dhe sociale të bankës. Ajo zotohet të mos financojë më projekte në zonat me biodiversitet të lartë.
BERZH do t’u kërkojë të gjitha projekt-propozimeve për financim – përfshirë këtu edhe projekteve për hidrocentrale – transparencë dhe standarde më të larta të mbrojtjes së mjedisit.
Ndërsa, nga bankat tregtare, BERZH kërkon vendosjen e kritereve shtesë për kontrollin e të gjitha projektet që kanë mbështetur deri më tani.
Kështu me politikën e re bankat tregtare do të mendohen dy herë përpara se të financojnë me paratë e BERZH-it projekte që dëmtojnë mjedisin. Kjo vlen edhe për Shqipërinë ku disa banka rezultojnë financuese edhe të projekteve në zonat e mbrojtura. Trysnia do të jetë mbi to dhe projektet e marra përsipër nëse nuk përmbushen kriteret e reja duke nisur nga janari i vitit 2020.
Ndryshimi i politikave mjedisore nga BERZH është përshëndetur nga shoqatat ambientaliste, sidomos nga ato që kundërshtojnë bumin e hidrocentraleve në Ballkan. Prej vitit 2005 më shumë se 2200 hidrocentrale janë planifikuar në të gjithë rajonin, duke mos kursyer as zonat e mbrojtura. Një pjesë e këtyre HEC-eve janë mbështetur financiarisht nga institucione ndërkombëtare si BERZH, Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Banka Botërore (BB).
Sipas një studimi të drejtuar nga Bankwatch Network këto banka ndërkombëtare kanë mbështetur me hua të paktën 37 projekte hidroenergjitike në zona të mbrojtura të rajonit. Shuma e huazuar shkon në një total prej €727 milionësh.
Në këtë prespektivë hidroenergjitike të Ballkanit, Shqipëria është dalluar si një nga vendet më dorëlëshuar dhe si një nga më problematiket për sa i përket kontestimeve dhe çështjeve mjedisore të ngritura. Që prej vitit 2002 qeveritë kanë dhënë 183 koncesione për ndërtimin e mbi 524 hidrocentraleve. Pothuajse çdo vit qeveritë kanë mundësuar dhjetra leje ndërtimi. Vetëm në vitin 2018 u dhanë 32 leje të tilla për hidrocentrale të vogla disa prej të cilave janë kontestuar.
Deri më tani sektori i hidroenergjitikës në Shqipëri është parë si biznes i mirë nga bankat dhe biznesmenët, të cilët nuk kanë kursyer as zonat e mbrojtura. BERZH për shembull ka mbështetur në Shqipëri ndërtimin e 8 HEC-ve, 3 prej të cilëve në zonat e mbrojtura si Shebenik-Jabllanicë apo Martanesh dhe që u rishqyrtuan menjëherë pas kontestimeve të ambientalistëve.
Sipas studimit të Bankwatch Network, në projektet e fundit në Shqipëri, 32 prej tyre janë financuar nga hua prej bankave tregtare – disa prej të cilave kanë marrëdhënie financiare me BERZH. 15 prej këtyre projekteve janë në zona të mbrojtura. Kështu:
Banka Intesa ka financuar ndërtimin e HEC-Lurë 1, 2, 3 në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj që në grupimin Kurora Lurës-Kunorë-Valmorë-Zall-Gjoçaj ka qenë kandidat për t’u përfshirë në rrjetin Emerald.
Raiffeisen ka financuar ndërtimet e HEC-Topojan 2 në Lumë, që është pjesë e parkut natyror Korab-Koritnik, HEC-Peshku në një peisazh të mbrojtur si zona Mali me Gropa Bizë-Martanesh, HEC-Langarica dhe HEC-Radovë në parkun kombëtar Bredh i Hotovës-Dangëlli.
Ish, banka Societe Generale, tani e blere nga grupi bullgarë OTP, ka financuar ndërtimet e HEC-Ternovë dhe HEC-Dardhë 1 në monumentin e natyrës Liqenin e Zi në Martanesh dhe Moravë propozuar gjithashtu si vend për t’u përfshirë në rrjetin Emerald.
Prej pesë muajsh qeveria shqiptare ka njoftuar pezullimin e qindra kontratave koncesionare të cilat nuk kanë qenë vënë në zbatim, por procesi ka qenë jo-transparent dhe aspak i qartë. Deri më tani qeveria ende nuk ka bërë publike se kush janë projektet e pezulluara, ndërsa asnjë hidrocentral në zonat e mbrojtura nuk është anuluar