Gazetari spanjoll Borja Bauzá, në një artikull për portalin The Objective, shkruan për qëndresën e qytetarëve dhe artistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar dhe jep një vështrim të përgjithshëm të krizës politike në vend.
Më poshtë Exit.al sjell të përkthyer artikullin:
Në orët e para të mëngjesit të 26 prillit, një qytetar i Tiranës vuri re se shkronjat që formonin emrin “Teatri Kombëtar” në pjesën ballore të godinës po hiqeshin. Në çdo vend tjetër ky veprim do të ishte shoqëruar me huliganizëm, apo të paktën me protesta të aktivistëve të nevrikosur, por në Tiranë kjo gjë nuk ndodhi. Pasi e kuptoi se çfarë po ndodhte, qytetari qëndoi në distancë dhe me telefonin e tij regjistroi çfarë kishte ndodhur dhe e publikoi foton në rrjetet sociale. Disa orë më vonë u konfirmua dyshimi: ata që po hiqnin shkronjat nga fasada e teatrit ishin punonjësit e bashkisë.
Lajmi nevrikosi dhe zemëroi shumë qytetarë, por nuk habiti askënd. Në fund të fundit, qeveria e Edi Ramës prej më shumë se një viti po përpiqet ta shembë Teatrin Kombëtar. E vetmja gjë që e ka penguar qeverinë ta shembë teatrin është kundërshtimi i fortë i qytetarëve, aktorëve dhe disa organizatave që po luftojnë për ruajtjen e ndërtesës që daton që në vitin 1939 dhe zë një hapërirë prej 7500 metrash katrorë në zemër të kryeqytetit, zonës më të lakmuar.
Në mars 2018, kur qeveria njoftoi se do të shembte Teatrin Kombëtar, Rama mendoi se i kishte të gjitha gjërat në vijë. Ai mendoi se do të ishte thjesht çështje kohe – madje e një kohe të shkurtër – për të vënë në zbatim planin e tij: të ndërtonte një teatër të ri me sipërfaqe vetëm 3 mijë metra katrorë dhe t’ja jepte 4500 metrat e tjerë katrorë një kompanie private e cila do të ndërtonte gjashtë kulla, që më pas do të ishin në pronësi të saj. Megjithatë, për fat të keq të qeverisë, qytetarët kundërshtuan dhe qëndruan të palëvizuar për muaj të tërë. Në dhjetor 2018, protestës për mbrojtjen e teatrit, iu shtua dhe protesta e studentëve kundër tarifave të larta të studimeve dhe një sërë problemesh të tjera në arsimin universitar. Ndërsa në shkurt 2019, partitë opozitare filluan një valë protestash të cilat vazhdojnë ende dhe sot, ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama pasi e akuzojnë si të lidhur më krimin. Ky i fundit normalisht nuk pranon të tërhiqet ndaj vendi aktualisht është në krizë politike.
“Rasti i Teatrit Kombëtar reflekton në mënyrë të përkryer atë që po ndodh në këtë vend”, u shpreh një anëtar i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar që preferon të mbetet anonim. “Kërcënimet e kësaj qeverie kundër qytetarëve dhe teatrit kanë qenë të mundshme në sajë të mungesës së Gjykatës Kushtetuese, institucioni kyç që kontrollon respetimin e kushtetutës, dhe që mundëson ruajtjen e balancave mes pushteteve”, shtoi aktivisti duke shpjeguar se vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese si pasojë e reformës në drejtësi, ndërmarrë nga Rama për të spastruar në interes të tij sistemin e drejtësisë, që sipas tij është “një kanistër me mollë të kalbura”. Aktivisti u shpreh:
“E inkurajuar nga liria se mund të miratojë ç’të dojë për sa kohë nuk ka Gjykatë Kushtetuese, qeveria e kontrolluar tërësisht nga Rama, ka ndërmarrë veprime në shkelje të së drejtës së pronës, në disa prej zonave më të lakmuara të Tiranës.”
Aktivisti sqaroi më tej se kohët e fundit “disa kompani ndërtimi, të lidhura ngushtë me qeverinë, kanë përfituar sipërfaqe trualli të cilat nuk i kishin në pronësi, me qëllim rindërtimin dhe rizhvillimin e plotë të tyre.” Thënë shkurt: çfarë po ndodh me Teatrin Kombëtar në Shqipëri është rasti më i qartë i korrupsionit.
Pavarësisht çdo gjëje, një pjesë e mirë e qytetarëve vazhdojnë të qëndrojnë stoikë në mbrojtje të Teatrit. Madje aq shumë, sa më 6 maj ata rivendosën me fondet e tyre dhe me mbështetjen e mijëra qytetarëve, shkronjat në fasadën e Teatrit Kombëtar.
Ndërkohë dhe protestat kundër Ramës vazhdojnë. Në këtë situatë të trazuar, Presidenti Ilir Meta ka deklaruar se është i gatshëm të heqë dorë nga posti i tij dhe të kryejë vetëvrasje politike “si Salvador Allende” – nëse kjo gjë do të zgjidhte krizën politike qe po kalon vendi. Kështu, për momentin krizës nuk i shihet fundi.