Komisioni i Ligjeve diskutoi sot propozimin e qeverisë për të ndryshuar mënyrën e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, përpara fillimit të detyrës, duke e bërë të panevojshëm betimin para Presidentit.
Ndryshimi që qeveria prozon është që “nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, [..] ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese”.
Ministria e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në mbrojtje të projektligjit, tha se ky ndryshim nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën:
“Duke para që ka pasur problematika sidomos në prezantimin e mekanizmave zhbllokues për herë të parë në Reformën në Drejtësi është menduar dhe besoj se është vlerësuar mirë nga nismëtarët parashikimi i një mekanizmi zhbllokues në formulën e betimit që nuk bie në mënyrë absolute në kundërshtim me nenin 129 të Kushtetutës për sa i përket anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por edhe për sa i përket ligjor për anëtarët e tjerë të Gjykatës së Lartë apo subjekte të tjera të parashikuara në këto ndryshme.”
Pohimi i ministres Gjonaj nuk është i vërtetë.
Mënyra e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është e përcaktuar në Kushtetutë, dhe nuk mund të ndryshohet me ligj por vetëm me amendim të Kushtetutës.
Neni 129 i Kushtetutës përcakton se“Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”, jo vetëm duke përcaktuar Presidentin si të vetmin autoritet për betimin, por duke përcaktuar se betimi bëhet fizikisht “para” Presidentit.
Asnjë lloj ligji nuk mund të përcaktojë autoritet apo mënyrë tjetër për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Madje edhe nëse shumica socialiste do të miratonte një ligj të tillë, ai do të ishte antikushtetues dhe absolutisht i pavlefshëm.
Për më tepër, procedura Kushtetuese do të ishte sërish sunduese pasi ligji themelor i shtetit përcakton (neni 4) se “Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe çdo ”dispozitë e saj zbatohet drejtpërsëdrejti.”