Tre anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë u betuan sot para Presidentit Ilir Meta. Në një njoftim zyrtar, Presidenti Meta shkruan:
“Në Institucionin e Kryetarit të Shtetit u zhvillua sot ceremonia solemne e betimit para Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta të tre anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, z.Sokol Sadushaj, z.Ervin Pupe dhe z.Ilir Panda”
Pak ditë më parë, Presidenti Meta dekretoi tre anëtarët e parë të Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë përbëhet nga 19 anëtarë, të cilët emërohen nga rradhët e gjyqtarëve me vjetërsi jo më pak se 10 vjet dhe nga rradhët e juristëve me jo më pak se 15 vjet përvojë.
Në mars të 2019, për shkak të procesit e vetingut dhe dorëheqjeve Gjykata e Lartë u bë jofunksionale. Gara për tre vendet u hap në korrik të vitit 2019 dhe në të u paraqitën 22 kandidatë, nga të cilët KLGJ përzgjodhi tre anëtarët e mësipërm.
Emërimi i Pupes, Pandës dhe Sadushit në këtë Gjykatën e Lartë, e çon në 4 numrin e anëtarëve—aktualisht anëtari i vetëm në detyrë është Ardian Dvorani, i cili po pret zëvendësimin e tij, pasi mandati i ka mbaruar para gjashtë vjetësh.