Presidenti amerikan, në fjalimin e paralajmëruar të së hënës, deklaroi se qëndronte i patundur pas vendimit për tërheqjen e trupave nga Afganistani.
Ai deklaroi se “nuk kishte për të patur një kohë të përshtatshme për të tërhequr Trupat Amerikan”.
Biden tha se SHBA-të kishin marr parasysh rreziqet dhe kishin planifikuar tërheqjen, por se “E vërteta është, gjithçka u shpalosë më shpejt nga sa kishim parashikuar. ”
Biden tha se udhëheqësit afganë e kishin siguruar se ushtria qeveritare do të luftonte kundër talebanëve, por përkundër kësaj ata bënë marrëveshje me ta dhe u dorëzuan.
Ai gjithashtu ia hodhi një pjesë të përgjegjësisë administratës së mëparshme, duke pohuar se ndoqi një plan tërheqjeje të dakordësuar gjatë administrimit të ish -Presidentit Donald Trump.
Forcat afgane të sigurisë u shpërndanë pas ikjes së trupave amerikan, ndërkohë që talebanët nxituan të dielën të merrnin Kabulin. Protestuesit bllokuan hyrjen në aeroport dhe u dyndën drejt avionëve, me të cilët SHBA po përpiqej të nxirrte njerëzit jashtë vendit.
Megjithatë Biden tha se rreth 6000 forca amerikane do të ngeleshin në vend për të mbrojtur aeroportin.
Ai nuk përmendi se çfarë po ndodh me bisedimet me Turqinë për të siguruar aeroportin Hamit Karzai, siç u raportua muajin e shkuar.
Më herët, Biden mbrojti me vendosmëri vendimin e tij për t’u larguar nga Afganistani, duke thënë se ai nuk do t’ia kalonte konfliktin 20-vjeçar një presidenti tjetër.
Rikthimi i Talebanëve në pushtet menjëherë pas largimit të forcave ushtarake të SHBA ishte diçka që presidenti Biden e kishte përjashtuar si mundësi në korrik.
Presidenti amerikan po përballet me një valë intensive kriticizmi nga të krahët politik në vend. Kreu republikan i Senatit, Mitch McConnell e quajti situatën në Afganistan “një turp për vendin tonë dhe një fitore për terroristët në të gjithë botën”.
Ndërkohë, edhe ekspert që kanë shërbyer në administratën e presidentit demokrat Obama kanë kërkuar që Biden të marrë përgjegjësi, duke pranuar se janë bërë gabime dhe se nuk kishin marr asnjë masë në rast se qeveria afgane do të binte. Të tjerë kërkojnë që Biden të merret me krizën humanitare që po shpaloset në Afganistan.