Biden premton 500 milionë doza vaksine COVID për vendet në zhvillim

Nga Exit News
Biden premton 500 milionë doza vaksine COVID për vendet në zhvillim

SHBA do të dhurojë 500 milionë doza të tjera të vaksinës Pfizer për vendet në zhvillim duke nisur nga viti 2022.

Presidenti Joe Biden bëri premtimin në një samit virtual Covid-19 si pjesë e punimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

SHBA tejkalon kështu një miliardë doza vaksinash antiCOVID të dhuruara për vendet në zhvillim.

Ekspertët thonë se rreth 11 miliardë doza kërkohen për të vaksinuar të paktën 70% të popullsisë globale.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vendosur një objektiv për të mbuluar me vaksina minimalisht 40% të popullsive në çdo vend deri në fund të vitit 2021.

Por ky objektiv nuk ka gjasa të përmbushet.

Ndërsa shumë vende me të ardhura të larta i kanë dhënë të paktën një dozë më shumë se gjysmës së popullsisë së tyre, vetëm 2% e njerëzve në vendet me të ardhura të ulëta kanë marrë dozën e parë, sipas të dhënave nga Universiteti i Oksfordit.

Samiti i Shtëpisë së Bardhë për Covid vjen pasi hulumtimet tregojnë se vendet e pasura ende mbajnë teprica të vaksinave, shumë prej të cilave së shpejti mund të skadojnë.

Në qershor, anëtarët e G7 – Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe SHBA – u zotuan të dhurojnë një miliard doza për vendet e varfra gjatë vitit të ardhshëm.

Presidenti Biden premtoi 580 milion në atë kohë, nga të cilat SHBA ka dhënë vetëm 160 milionë deri më tani.

Vaksinat e dhuruara kalojnë përmes Covax, skemës globale të mbështetur nga OBSH për të shpërndarë dozat aty ku kanë më shumë nevojë.

Covax blen dhe më pas shet vaksina me kosto të ulët për vendet me të ardhura të mesme dhe dhuron për vendet e varfra.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>