Biden viziton tre memorialet e 11 Shtatorit në 20 vjetorin e sulmeve

Nga Exit News
Biden viziton tre memorialet e 11 Shtatorit në 20 vjetorin e sulmeve

Presidenti amerikan, Joe Biden do të vizitojë të shtunën të treja vendet ku u rrëzuan aeroplanët e rrëmbyer në 2001, me rastin e 20 -vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

Sulmet e 11 shtatorit ishin një seri prej katër sulmesh terroriste, të koordinuara nga grupi islamik terrorist al-Kaeda kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mëngjesin e së martës, 11 shtator 2001.

Biden do të hapë ceremoninë e nderimit të viktimave në Nju Jork, në vendin ku qëndroin kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë dikur, para se ato të shembeshin nga përplasja e aeroplanëve.

Pastaj ai do të udhëtojë për në Shanksville, Pensilvani, ku fluturimi United Flight 93 u përplas në një fushë, pasi udhëtarët morën kontrollin nga rrëmbyesit dhe parandaluan goditjen e një objektivi tjetër.

Në fund, Biden do të kthehet në zonën e Uashingtonit për të vizituar Pentagonin, simbolin e fuqisë ushtarake amerikane, që u godit nga një tjetër aeroplan atë ditë.

Ky përvjetor vjen rishtazi pas përfundimit të luftës në Afganistan, nisur rreth 20 vjet më parë për të çrrënjosur organizatën terroriste Al Kaeda.

Tërheqja e trupave amerikane nga Biden dhe rënia e shpejtë e vendit nën regjimin talebanë ka tërhequr kritika si nga dy partitë politike në Amerikë dhe jashtë vendit.

Biden nuk do të mbajë fjalim në asnjë prej ceremonive, por Shtëpia e Bardhë publikoi një ditë më parë ​​një video të Presidentit teksa shprehte ngushëllimet ndaj familjeve të viktimave.

“Është kaq e vështirë. Pavarësisht nëse është viti i parë apo i 20 -të, fëmijët janë rritur pa prindër dhe prindërit kanë vuajtur pa fëmijë,” citohet Biden në një raportim të Reuters.

Presidenti vuri në dukje heroizmin dhe solidaritetin që pasoi sulmet.

“Ne gjithashtu pamë diçka shumë të rrallë: një ndjenjë të vërtetë të bashkimit kombëtar,” tha ai.

Biden, një demokrat, u zotua të krijojë një unitet të tillë pasi erdhi në detyrë në fillim të vitit, por vendi mbetet thellësisht i ndarë politikisht.

Me kërkesë të familjeve të viktimave, kavën e kaluar presidenti urdhëroi Departamentin e Drejtësisë të deklasifikojë dokumentet e FBI -së për sulmet dhe t’i bëj ato publike.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>