Bie qeveria e Kosovës

Bie qeveria e Kosovës

Sot, Kuvendi i Kosovës votoi pro rrëzimit të qeverisë së Isa Mustafës. Sipas gazetës kosovare Zëri.info nga 115 deputetë të pranishëm, 78 votuan pro, 34 kundra dhe 3 abstenuan. Por rrëzimit të qeverisë votoi edhe Partia Demokratike e Kosovës, pjesë e koalicionit qeverisës.

Sipas Gazetës Zëri.info, Kryetari i grupit parlamentarë të PDK-së Zenun Pajaziti ka deklaruar se mocioni nuk është për t’i përsëritur sukseset e qeverisë por se në këtë vend ka ngecje.

Ai ka ftuar që të gjithë që të votoni për vullnetin e qytetarëve dhe për interesin e qytetarëve — raportojnë mediat kosovare.

Për rrëzimin e qeverisë reaguan edhe përfaqësitë e huaja. Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Kosovë u shpreh se rrëzimi i qeverisë do të shtyjë procesin e liberalizimit të vizave.

Zëdhënësja e shefes së politikës së jashtme në BE Maja Kocijancic u shpreh se “është e rëndësishme që puna, e cila, mes tjerash, lidhet me promovimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik, dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe liberalizimin e vizave, të vazhdojë për të mirën e popullit të Kosovës”.

Gjithashtu edhe ambasada amerikane në Kosovë u shpreh se “Kuvendi e tha fjalën e vet. Përderisa vazhdon procesi i tranzicionit dhe vendi lëviz në drejtim të zgjedhjeve të parakohshme, ftojmë të gjithë zyrtarët e mbetur në Qeveri që të zotohen përsëri në shërbim të punëdhënësve të tyre”.

Më 5 maj, partia opozitare e Fatmir Limajt dorëzoi në Kuvend 42 firma për një mocion mosbesimi për qeverinë e Isa Mustafës. Qeveria e drejtuar nga Zoti Mustafa u formua në vitin 2014, pas krijimit të koalicionit paszgjedhor ndërmjet Partisë Demokratike (PDK) dhe Lidhjes Demokratike (LDK).

Arsyeja e kërkesë së mosbesimit është dështimi i qeverisë në zbatimin e programit qeverisës dhe dështimit të koalicionit qeveritar në miratimin e ligjeve të rëndësishme.

Kërkesa për mocion mosbesimi u firmos edhe nga disa deputetë të PDK-së.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>