Bilanci javor i rajonit – 2 500 të infektuar dhe 80 viktima të tjera me Covid-19

Nga Exit News
Bilanci javor i rajonit – 2 500 të infektuar dhe 80 viktima të tjera me Covid-19

Bilanci i epidemisë së Covid-19 në Ballkanin Perëndimor njohu prirje në ulje të të infektuarve dhe viktimave javën që shkoi.

Referuar të dhënave zyrtare, në total, nga 7 vendet e rajonit u raportuan 2 500 të infektuar të tjerë dhe 80 viktima, pjesa më e madhe në Serbi.

Krahasuar me një javë më parë prirja në rritje e epidemisë është me 1 500 të infektuar dhe 20 viktima më pak.

Ballkani Perëndimor numëron mbi 15 mijë të infektuar me koronavirus dhe rreth 400 të vdekur.

Bilancin më të rëndë të epidemisë me më shumë vdekje dhe të infektuar po e vuajnë Maqedonia e Veriut (61 viktima) dhe Serbia (162 viktima).

Ndërkohë Shqipëria ka raportin më të ulët të të infektuarve në rajon dhe përqindjen më të lartë të shërueshmërisë.

Megjithatë vendi ynë mbetet vendi që kryen më pak teste, rreth 2 600 teste për çdo 1 milionë banorë.

Tabela e përpiluar nga Exit News tregon një panoramë më të qartë të situatës.

Bilanci i Covid në Ballkanin Perendimor prill
Bilanci i Covid në Ballkanin Perendimor 27 prill 2020.

Vdekjet dhe të infektuarit

Mali i Zi dhe Shqipëria raportuan këtë javë vetëm nga 2 viktima me Covid-19.

Vlen të theksohet se autoritetet malazeze kanë diagnostikuar vetëm 10 të infektuar të tjerë (321 totali) edhe pse gjatë javës kryen pothuajse po aq teste sa autoritetet shqiptare kjo tregon se epidemia atje po përmbahet.

Në Shqipëri ndërkohë pati 154 të infektuar të tjerë (736 totali).

Maqedonia e Veriut raportoi këtë javë 7 vdekje mes pacientëve me Covid-19 dhe 161 të infektuar të tjerë duke e çuar totalin në 1 386 të infektuar e 61 viktima.

Kosova raportoi 9 viktima dhe plot 202 të infektuar të tjerë duke e përkeqësuar bilancin e epidemisë në 763 të infektuar, prej të cilëve 21 kanë vdekur.

Në vijim Bosnje e Hercegovina e Kroacia raportuan 11 dhe 12 viktima ndërsa Serbia 37.

Me 1 645 të infektuar të tjerë(8 275 totali), Serbia njohu rritjen më të madhe në rajon, ndërsa Bosnje e Hercegovina (256 të infektuar) dhe Kroacia (158 të infektuar) patën një rritje të përmbajtur.

Testet dhe të shëruarit

Serbia mbetet vendi që kryen më shumë teste në rajon me një mesatare prej 9 700 testesh për çdo 1 milionë banorë.

Gjatë javës së fundit autoritetet serbe kryen 26 105 teste – 3.5 herë më shumë se sa ka kryer Shqipëria që prej fillimit të epidemisë.

Numri i testeve në rritje ka shtuar dhe rastet e të infektuarve, tashmë Serbia ka 8 275 të infektuar – 1,645 më shumë se një javë më parë.

Megjithëse pati 37 viktima gjatë javës, u regjistruan rreth 340 persona të shëruar.

Sidoqoftë në përqindje shërueshmëria mbetet e ulët në Serbi vetëm – 14.6 për qind e pacientëve janë shëruar.

Shqipëria që ka raportin më të vogël të të infektuarve në rajon – 256 të infektuar për çdo 1 milionë banorë – ka diagnostikuar me infeksion 736 persona, prej të cilëve 28 kanë vdekur dhe 422 janë shëruar.

Në për qindje kjo nënkupton mbi 57 për qind e pacientëve të shëruar.

Në rajon, Kroacia është pothuajse në të njëjtat nivele me Shqipërinë edhe pse ka më shumë të infektuar.

Megjithatë vlen të theksohet se Shqipëria testoi javën e fundit rreth 1 700 persona, ndërsa në Kroaci u testuan mbi 6 mijë persona.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>