BIRN, Sindikatat vjelin miliona nga ‘kontratat kolektive’ me shtetin

Nga Exit News
BIRN, Sindikatat vjelin miliona nga ‘kontratat kolektive’ me shtetin

Sindikatat shqiptare përmes kontratave kolektive, mbledhin kuotat e anëtarësisë direkt nga shtetit dhe nga kompanitë publike, shpesh pa dijenin e punonjësve. Ato janë kthyer në organizata formale që promovojnë interesat e punëdhënësve më shumë se të drejtat e punëtorëve. Kështu ka dalë nga një hulumtim i gazetares Ornela Manjani për Reporter.al, të cilin mund ta lexoni më poshtë të përmbledhur:

Institucionet shtetërore dhe kompanitë publike u mbajnë çdo muaj punonjësve të tyre nga paga kuota anëtarësimi në sindikata, për të cilat punonjësit nuk kanë dhënë miratimin dhe shpeshherë as që kanë dijeni.

Vetëm shtetërore të arsimit, shëndetësisë, policisë dhe burgjeve, sindikatat kanë mbledhur gjatë 4 viteve të fundit dhjetra miliona lekë në kontribute; ndërkohë që pagesa të majme të bazuara në kontratat kolektive bëhen edhe nga kompanitë publike, si OSHEE, KESH dhe Posta Shqiptare.

Qeveria ka paguar rreth 600 mijë euro për 15 federata, konfederata dhe sindikata të pavaruara nga viti 2016 deri në vitin 2019.

Përfituesit më të mëdhenj ishin dy sindikatat e arsimit, të cilat në bazë të kontratës kolektive të lidhur me ministrinë e Arsimit dhe Shkencës kanë përfituar rreth 400 mijë euro. Kjo shumë është mbajtur nga pagat e mësuesve dhe edukatorëve nga drejtoritë dhe zyrat arsimore në të gjithë vendin.

Këto shuma janë mbledhur pa dijeninë e mësuesve, të cilët u shprehën për BIRN se kishin dijeni për ekzistencën e sindikatave, por ishin të paqartë për kuotat që u mbaheshin nga rroga.

Më pas dy sindikatat e punonjësve të rendit kanë marrë 40 mijë euro për 4 vjet. Ndërsa Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë ka përfituar 60 mijë euro nga institucionet e vuajtjes së dënimit.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë për punonjësit e shëndetësisë, e udhëhequr nga Kol Nikollaj, ka përfituar gjatë 4 viteve të fundit 90 mijë euro nga buxheti i shtetit. Në këtë sektor operon dhe Sindikata e Pavarur e Shëndetësisë, por kjo e fundit ka pasur një numër minimal kuotizacionesh gjatë 4 viteve të fundit.

KESH i mban çdo punonjësi 200 lekë në muaj si kuotacion për sindikatën, Federata Sindikale e Punonjësve të Industrisë. OSHEE u mban një kuotacion prej 200 lekësh çdo muaj 5200 punonjësve të saj. Ndërsa Posta Shqiptare, në një përgjigje me shkrim për BIRN tha se “kuotacioni për anëtarësimin në sindikatë të punonjësve të Postës Shqiptare kryhet sipas nenit 17 të kontratës kolektive të punës.”

Këto lloj kontratash, sipas ekspertëve kanë krijuar një rrjet interesash financiare midis punëdhënësve të sektorit publik dhe sindikatave, duke e bërë që këto sindikata të mos mbrojnë interesat e punënjësve në rastet e shkarkimeve arbitrare nga puna.

Në rastin e KESH, i cili njoftoi se gjatë katër viteve të fundit kishte prishur 55 kontrata pune, nga të cilat 22 raste i janë drejtuar gjykatës për dëmshpërblim. Korporata theksoi se punonjësit që i janë drejtuar gjykatës, nuk janë mbështetur nga sindikata.

Të gjitha këto të dhëna tregojnë se pavarësisht se kryeministri Rama në një intervistë në televizionin italian “La 7” në vitin 2015, u mburr se Shqipëria është një vend pa sindikata, në të vërtete ai i paguan mijëra euro enteve sindikale të regjistruara në vend nga buxheti i shtetit, të cilat u mbahen punëmarrësve direkt nga paga.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>