Britania dhe Bashkimi Europian kanë arritur marrëveshjen tregtare të enjten, vetëm një javë para se vendi të lërë zyrtarisht BE-në.
Guy Verhofstadt, i cili shërbeu si koordinatori kryesor i Brexit për Parlamentin Evropian, tha se ai shpreson që marrëveshja “do të jetë hapi i parë në kthimin e Mbretërisë së Bashkuar në familjen Evropiane”.
Ish-kryeministri David Cameron, i cili thirri referendumin për largimin nga Bashkimi Evropian, ka mirëpritur lajmin e marrëveshjes.
“Është mirë ta mbyllësh një vit të vështirë me disa lajme pozitive. Marrëveshja tregtare është shumë e mirëpritur – dhe një hap jetik në ndërtimin e një marrëdhënie të re me BE si miq, fqinjë dhe partnerë. Shumë urime për ekipin negociator të MB”, tha ai në Twitter.
Ish-kryeministrja Theresa May gjithashtu e ka mirëpritur lajmin.
“Lajm shumë i mirëpritur që MB dhe BE kanë arritur marrëveshje mbi kushtet e një marrëveshjeje – që siguron besim për biznesin dhe ndihmon në vazhdimin e rrjedhës së tregtisë. Presim të shohim detajet në ditët në vijim”, deklaroi ajo në llogarinë e saj në Twitter.
Gjatë konferencës për shtyp, presidentja e Parlamentit Europian Ursula von der Leyen tha se ka masa të forta brenda kësaj marrëveshje që mund të merren nëse njëra palë nuk vepron sipas rregullave.
“Do të ketë një rishikim pas katër vjetësh për të siguruar që të dy palët të veprojnë sipas rregullave të rëna dakord në këtë marrëveshje dhe për të parë që fusha e lojës është e barabartë”, tha ajo.
Ka masa mbrojtëse të forta për të siguruar që ka një nxitje për të dy palët t’i përmbahen asaj që kanë rënë dakord, tha ajo.
Marrëveshja vjen pas katër vitesh e gjysmë pas referendumit në të cilin Mbretëria e Bashkuar votoi për t’u larguar nga BE.
Në fjalën e tij në konferencë, kryeministri britanik Boris Johnson se është arritur marrëveshja më e madhe tregtare.
“Ne kemi përfunduar marrëveshjen më të madhe tregtare ende me vlerë 166 miliardë funte në vit, një marrëveshje gjithëpërfshirëse e tregtisë së lirë në stilin Kanada me BE”, tha ai.
Johnson u shpreh se marrëveshja do të mbrojë vendet e punës, do të lejojë që mallrat në Britani të shiten pa tarifa dhe kuota në tregun e BE, po ashtu do të lejojë ndërmarrjet të bëjnë edhe më shumë biznes me Evropën.
“Nga 1 janari, ne jemi jashtë unionit doganor dhe tregut të vetëm”, tha ai.
Kryeministri tha se ligjet britanike do të bëhen vetëm nga parlamenti britanik, i interpretuar nga gjykatësit britanikë të ulur në gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar.
“Për herë të parë që nga viti 1973, Britania do të jetë një shtet i pavarur bregdetar me kontroll të plotë të ujërave të saj”, deklaroi kryeministri britanik.
Për BE-në, për të cilën thotë se ka qenë një marrëdhënie “e përulur dhe e vështirë”, Johnson tha:
“Ne do të jemi shoku juaj, aleati juaj, mbështetësi juaj dhe në të vërtetë kurrë nuk do ta lëmë të harrohet, tregu juaj numër një. Megjithëse ne jemi larguar nga BE, ky vend do të mbetet i lidhur kulturalisht, emocionalisht, historikisht, strategjikisht, gjeologjikisht me Evropën – jo më pak përmes 4 milion shtetasve të BE-së që kanë kërkuar të vendosen në Britani gjatë katër viteve të fundit dhe që bëjnë një gjë të jashtëzakonshme kontribut për vendin dhe jetën tonë”.
Johnson duek iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve tha se teksti i marrëveshjes është rreth 500 faqe.
Ne dëshironim të siguronim kontroll të plotë të hyrjes në peshkimin tonë, tha ai.
“BE dëshironte fillimisht një tranzicion prej 14 vjetësh, Britania e Madhe kërkoi 3 vjet, ne u dakordësuam për 5.5 vjet, një periudhë tranzicioni e arsyeshme”, deklaroi Johnson.
Në orët në vijim pritet të mësohen më shumë detaje rreth marrëveshjes tregtare.