Lidhjet familjare tregojnë shumë. Veçanërisht nëse një ish-minsitër—i larguar nga detyra që në mars—i përfolur dhe shumë i akuzuar në vendin e tij për mbrojtjen e një klani trafikantësh të drogës.
Në Shqipëri lajmi i arrestimit të Moisi Habilajt ka shkaktuar një tërmet të vërtetë politik. 30 vjeçari i kapur dje nga njesitë e policisë gjyqësore të policisë financiare të Katanjës, në kuadër të operacionit Trëndafilat e të Njëzetëve, është kushëriri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Tahiri u vu në qendër të akuzave në vitin 2015, pas dëshmive të shefit të policisë kufitare të Vlorës, Dritan Zagani, i cili e akuzoi publikisht si bashkëpunëtor me krimin e organizuar lokal të përfshirë në eksportin e marijuanës në Ballkan.
Sipas pohimeve të policit—më pas i detyruar të kërkonte strehim në Zvicër për shkak se kërkohej nga policia shqiptare që dyshonte se ai kishte njoftuar autoritetet italiane—kushërinjtë e ministrit kishin transportuar drogë duke shfrytëzuar edhe makinën private të ministrit. Një Audi A8 është vënë re shpesh herë duke kaluar kufirin grek, por edhe të vendeve të tjera.
Nga ana e tij, personi i akuzuar, ministri Tahiri, ka përgënjeshtruar gjithmonë duke shpjeguar se në vitin 2013 ai ua kishte shitur makinën kushërinjve, por në të zezë.
Por verifikimet e hetuesve italianë tregojnë një histori ndryshe, në të cilën shfaqet edhe emri i politikanit.
Moisi Habilaj kishte në Siçili pikën kryesore të biznesit të tij, falë një rrjeti të dendur shitësish shumice të aftë për të blerë me para në dorë qindra kilogramë marijuanë dhe për ta vënë atë pastaj, pa rënë në sy, në dispozicion të të gjitha klaneve mafioze aktive në shpërndarjen e saj. Jo vetëm në Katanjë, por edhe të Sirakuzë dhe Raguzë.
Në Shqipëri,për kushëririn e ministrit ishin grumbulluar shumë dyshime. Asnjëherë i hetuar, asnjëherë i arrstuar, por shumë i fotografuar, për shembull me shefin e policisë kufitare të qytetit bregdetar të Dhërmiut.
Një sërë udhëtimesh të vazhdueshme nga Shqipëria në Siçili, duke kaluar nga Pulia, për të rregulluar pazaret e drogës, sigurimin e vendeve të përshtatshme për ankorimin e varkave dhe ato për ruajtjen e drogës.
Gjurmë që çojnë në emra dhe mbiemra. Si ai i Antonino Reilas, i cili dyshohet si pika kryesore e qendrës së Etnas për sigurimin e drogës nga Shqipëria. Në nëntor 2013, hetuesit ushtarakë mbikqyrën një takim mes këtij të fundit dhe Florian Habilajt, vëllait të Moisiut, pra edhe ai kushëri i Ministrit Tahiri.
Takimi ballë për ballë u zhvillua në zonën e San Giorgios dhe, sipas akuzës, Riela i dorëzoi 30 mijë euro para në dorë Habilajt për një sasi marijuane. Qëllimi ishte që të kompensonin sa më shpejt që të ishte e mundur boshllëkun e krijuar nga sekuestrimi i 1 650 kg marijuanë të kapur në brigjet e gjirit të Castellucios pranë Augustës.
“Sikur të kisha patur një kallashnikov do t’i kisha sharruar të gjithë. Bam, bam, bam”,—shprehet Moisiu, nën përgjim, i nxehur për ngarkesën e humbur dhe për vështirësitë për t’i shpëtuar ndjekjes së “të zinjve”, pra të forcave të rendit.
Shqipëria për kushëririn e ministrit do të ishte për shumë vite një zonë e lirë për biznes. Në një përgjim mjedisor të realizuar nga ushtarakët e rojes financiare të Katanjës, Moisiu i zbulon disa hollësi ndërmjetësit të tij siçilian, pronar i një benzinate Q8 pranë Lentinit: “Nëse vjen në Shqipëri—thotë Moisiu—ki parasysh se policia shqiptare është e korruptuar dhe që shpesh herë është vetë shefi i policisë që ndihmon në ngarkimin e thasëve.”
Ndërsa në Itali, grupi ndeshet me sekuestrimet të shumta, si ai i 289 kilogramëve marijuanë në Palagonia.
Droga e kartelit ital0-shqiptar në ishull u bllokua edhe në portin e Ripostos apo në qendrën tregtare Porte di Catania, ku hetuesit zbuluan një makinë kampingu të marrë me qira të mbushur me drogë.
Për shkak të sekuestrimeve, filluan bisedime të gjata për të planifikuar dërgesa të reja dhe është pikërisht në këto biseda që, sipas hetuesve, Moisiu flet për kushëririn e tij politikan, duke ju referuar një shume që duhet t’ja dorëzonte atij: “Tridhjetë mijë duhet t’ja çoj Saimirit.”
Politikani përfshihet në këtë valle edhe në lidhje me makinën, tashmë të famshme, të tij. Kushërinjtë, së bashku me bashkëpunëtorine tyre Sabi Çelaj, vinin në Siçili edhe me makinën Audi të regjistruar zyrtarisht në emër të ministrit.
Ari jeshil i Ballkanit do përfundonte edhe në zotërimin e Sebastiano Sardos, i njohur me pseudonimin Jani me Syze, i cili është kthyer prej pak kohësh në bashkëpunëtor të drejtësisë, por në të shkuarën ka shërbyer si menaxher i drogës për klanin Capello të Katanjës.
Për shqiptarët, ai ishte “ai me syze” me të cilin do të hynin edhe në biznesin shumë fitmprurës të furnizimit të armëve: “Nëse sjellim diçka për ata, fusim edhe ca kallashnikovë—lexohet në përgjime—do të vriten mes tyre, po kujt i plasi, ata vetë i duan armët”.