Qindra biznese të vogla dhe të mëdha në Bashkinë e Durrësit kanë ndërprerë punën për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar nga tërmeti.
Makineritë janë fikur prej mëngjesit të 26 nëntorit në kapanonet e kompanisë së riciklimit “Edipack” në Porto-Romano të Durrësit, ndërsa pronari i saj, Bardhyl Baltëza po përpiqet të llogarisë dëmet dhe të gjejë rrugë për rimëkëmbjen e biznesit të dëmtuar rëndë nga lëkundjet e tërmetit.
“Ne e kemi ndërprerë prodhimin sepse po vendosim për godinat që do prishen,” thotë Baltëza sapo shkëputet nga inxhinieri i sapombërritur nga aeroporti.
“Kemi 130 e ca punëtorë, kanë një javë që nuk punojnë, do jenë edhe një javë tjetër. Unë nuk kam ndërmend të ndërpres rrogat, se ata me atë jetojnë. Janë qindra milionë lekë dëme që do t’i paguajë biznesi,” shton ai për BIRN.
Kompania “Edipack” është vetëm një prej mijëra bizneseve që mbyllën qepenat në Durrës dhe një javë e gjysmë pas tërmetit vdekjeprurës, vazhdojnë të mbeten të paralizuar.
BIRN intervistoi tregtarë të vegjël dhe biznesmenë të mëdhenj.
Në bashkinë e Durrësit operojnë mbi 12 mijë biznese të fushave të ndryshme; të cilat mbulojnë mbi 10-12% të të gjithë kapacitetit ekonomik të Shqipërisë. Megjithatë, situata e krijuar rrezikon të çojë në faliment një pjesë prej tyre.
“Çdo ditë që kalon, është një ditë më pranë falimentit,” thotë i shqetësuar Alban Isteri, kryetar i Dhomës së Tregtisë së Durrësit, ndërsa shton se në ditët e fundit ka një fluks për pezullim biznesesh në qytet.
Isteri i bën thirrje qeverisë që të mendojë mekanizma ndihmues edhe për ringritjen e biznesit në Durrës. Ai propozon krijimin e lehtësirave fiskale apo pezullim për një afat të caktuar të detyrimeve për bizneset; në mënyrë që ato të ringrihen në këmbë dhe të rikthehen në gjendjen normale.
Me faliment te pragu
Në të dalë të rrugës së spitalit në Durrës, një numër pallatesh vazhdojnë të jenë të rrethuar nga shiritat e policisë, që paralajmërojnë mbi një rrezik të mundshëm. Në katin e parë të njërit prej tyre, “Market Dollani” ka hapur dyert pavarësisht pengesës që krijohet nga rrethimi me shirit.
“Ne ishim të rrënuar përpara tërmetit e tani mbaruam fare, se po sakrifikojmë jo nga 2 turne, po mundësisht 24 orë. Kush thërret, hajde t’ia hapim dyqanin po themi për 2 lekë, se është mbyllur në vend tjetër,” tha Sadush Dollani me dyqanin e kthyer në një forum diskutimi.
Me origjinë nga Skrapari, burri në mesin e të 40-ave është vendosur në Durrës 24 vite më parë, pas tetë vitesh pune në ndërtim në Greqi. Më shumë sesa për të blerë, fqinjët hyjnë aty për ta pyetur për cilësinë e ndërtimeve, ndërsa Dollani përpiqet t’i qetësojë për qëndrueshmërinë e strukturave.
Pronari i marketit nuk është i vetmi tregtar në dyshim. Disa dhjetra metra larg marketit të Dollanit, një tjetër tregtar lulesh po kalon ditë të vështira në biznesin e vet të ri.
Jorgji Lini qëndron në hyrje të dyqanit të luleve me një ibrik në dorë.
“Pas tërmetit me buqeta vdekjeje jemi marrë më shumë,” thotë me trishtim ai. “Tani është pak më ndryshe nga ajo ikja e madhe që ishte qyteti bosh, por ka ende shumë njerëz që nuk i janë dëmtuar banesat dhe kanë ikur, kanë frikë,” shton i riu.
Biznesi i vogël i Linit i hapi dyert gati një vit më parë dhe ende pa e marrë veten mirë, iu desh të shpenzonte 100 mijë lekë për riparimin e dëmeve të tërmetit. I riu shprehet i pasigurtë për të ardhmen, ndërsa përpiqet të operojnë me një kapacitet më të ulët se në ditët e zakonshme.
Ulja e fuqisë blerëse i ka shtyrë edhe fabrikat në gjendje pune që të ulin prodhimin. Sabri Rustemi, përfaqësues i kompanisë “Ferra & Co”, një ndër më të mëdhatë në Shqipëri për paketimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore, si vaj, oriz dhe sheqer i tha BIRN se ndonëse nuk patën dëme, janë detyruar të ulin prodhimin.
“E kemi ulur sepse shumica e njerëzve nuk janë në shtëpi, bie konsumimi i produkteve ushqimore… ne ambalazhojmë vaj, oriz, sheqer që gatuhen në shtëpi dhe jo kur je jashtë,” tha Rustemi.
Tkurrja e fuqisë punëtore
Njësoj si biznesi i vogël, edhe kompanitë prodhuese po përballen me vështirësitë e ringritjes në këmbë dhe plotësimin e kontratave për klientët e tyre. Një ndër shkaqet është edhe largimi masiv i punonjësve drejt qyteteve të tyre.
“Shumica e punëtorëve kanë ikur larg, dikush në Librazhd, Pogradec apo nëpër hotele dhe ato fabrika që janë të hapura po e mbajnë me pak punëtorë. Nga 50 punëtorë që janë në listë-pagesë, kam prezent 12 vetë dhe ky është një dëm,” thotë Edvini, përgjegjës i një fasonerie në zonën e Shkozetit në Durrës.
Sabri Rustemi i “Ferra& Co” ndan të njëjtin shqetësim për gjendjen e punëtorë. Rreth 100 punëtorë banojnë kryesisht në zonën pranë fabrikës dhe kanë shtëpi përdhese, por e madhe është dhimbja për 15 punëtorë, apartamentet e të cilëve janë shkatërruar nga tërmeti.
Alban Isteri i Dhomës së Tregtisë në Durrës i tha BIRN se tkurrja e numrit të punëtorëve është një fenomen masiv në Durrës.
“Edhe ato biznese që nuk kanë pësuar dëmtime dhe kanë filluar punë, janë me 30-40 përqind të fuqisë punëtore. Kemi evidentuar që bizneset kanë shkuar nëpër banka me qëllim tërheqjen e parave, qoftë edhe për parapagimin e punonjësve,” tha ai për BIRN.
Isteri mendon se evidentimi i dëmeve dhe gjetja e rrugëve më të përshtatshme për t’iu bërë krah biznesit janë tashmë një domosdoshmëri, që duhet të merren parasysh nga qeveria. Veçanërisht në fund të vitit- ku sipas tij biznesit i duhet të paguajë pagat, detyrimet, tatim-fitimin dhe kreditë ndaj bankave.
Në fabrikën e riciklimit në Porto Romano, Bardhyl Baltëza llogarit të ketë rreth 5 milionë euro dëme nga tërmeti, ndërsa kritikon mungesën e një ndërhyrjeje nga qeveria. Ende i paqartë për dëmet që kanë pësuar makineritë, ai shpreson të sigurojë ndonjë ndihmë për kredi ose nga siguracioni për t’u rikthyer sërish në prodhim.
“Nuk bëhet fjalë të ketë një ndërhyrje nga qeveria,” thotë Baltëza për BIRN. “Do na duhen shumë vite për t’u rikuperuar, nëse do rikuperohemi,” përfundon ai.
Publikuar më parë në BIRN