Bernd Borchardt, kreu i Misionit të OSBE-së në Tiranë, ka sugjeruar një proces të ngjashëm me vetingun, për politikanët para kandidimeve.
Në një aktivitet të ODIHR-it në Tiranë, Zoti Borchardt kujtoi nismën e opozitës për ‘vetingun në politikë’ dhe se si kjo mund të ketë efekte parandaluese në kandidimin e personave me të shkuar kriminale në postet publike:
“Një aspekt tjetër, i sugjeruar nga Opozita e Bashkuar, është krijimi i mekanizmave të efektshëm për të prerë lidhjet mes krimit dhe politikës. Në fund të vitit 2018, pati një projektligj për këtë. Komisioni i Venecias e quajti jopërpjestimor.
Por Komisioni theksoi, njëkohësisht, përligjjen për të diskutuar një ligj të tillë. Unë do të sugjeroja një diskutim të plotë për mënyrat e kufizimit të ndikimit të shkelësve të ligjit në jetën politike të rangut të lartë. Gjatë procesit të vetingut në drejtësi, justifikimi i pasurisë ka luajtur një rol mbizotërues.
Institucionet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë katërcipërisht të gjitha pretendimet për shkeljet zgjedhore. Prokurorët duhet të jenë të gatshëm të shqyrtojnë akuzat për krime zgjedhore. Kjo do të sillte ndikim frenues.”
Duke folur për reformën zgjedhore, Zoti Borchardt tha se do të jetë e vështirë të merren në shqyrtim të gjithë kërkesat e OSBE/ODIHR pasi ka ngelur pak kohë deri më 15 mars. Megjithatë Borchardt theksoi se çdo lloj reforme do të dështonte të sillte zgjedhje të lira e të ndershme në rast se palët që marrin pjesë në to vazhdojnë të jenë të korruptuara:
“Nëse dëshiron të ndalosh korrupsionin, duhet të ndalosh së qeni i korruptuar. Legjislacioni ekzistues mund të prodhojë zgjedhje të përshtatshme dhe rezultate të besueshme. ODIHR-i e ka theksuar këtë në disa raporte.
Kjo nuk ka ndodhur pasi bëhet korrupsion dhe autorët e tij e dinë se sistemi nuk mundet t’i dënojë apo thjesht nuk i dënon sa duhet.
Mund të vijoni të përpiqeni të ndryshoni sistemin, por do të ishte më mirë të ndryshonit sjelljen.
Ky është parakushti për mbarëvajtjen e gjithçkaje. Sepse nëse shkelësit e ligjit nuk ndryshojnë sjelljen, reformat bëhen të kota.”
Sa i përket problemit të shitblerjes së votës, ambasadori u shpreh se OSBE ka “rekomanduar një fushatë ndërgjegjësimi qytetar përpara zgjedhjeve, ndjekjen penale të shkelësve të ligjit, një zotim të sinqertë të partive politike për të luftuar shitblerjen e votës, si edhe që politikanët të refuzojnë publikisht mbështetjen financiare nga individët me të shkuar kriminale”.
Për të luftuar presionin mbi administratën publike, ambasadori tha se:
“ODIHR-i ka sugjeruar ngritjen e një strukture të pavarur për trajtimin e pretendimeve për presion mbi administratën dhe abuzime me burimet shtetërore. Hapa të mëtejshëm duhen marrë edhe për depolitizimin e shërbimit civil. Po ashtu, qeveria duhet të hartojë një procedurë sipas së cilës punonjësit e administratës publike mund të denoncojnë çdo lloj presioni ndaj tyre. Këta persona duhet të gëzojnë mbrojtjen si sinjalizues”.
Ambasadori foli dhe për fenomenin e ‘kasetave të gatshme të partive’ dhe rekomandoi se në reformën e re zgjedhore duhet të kufizohet shpërndarja e tyre:
“Një nga rekomandimet është që të ashtuquajturat ‘kaseta’ të përgatitura nga partitë duhet të kufizohen dhe të etiketohen qartë.”