Kryeministri britanik Boris Johnson ka nënshkruar sot projekt-ligjin e marrëveshjes së largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, largim qe do të zyrtarizohet më 31 janar.
Projekt-ligji në fjalë pati rrëzuar dy qeveri konservatore nën drejtimin e dy kryeministrave të ndryshëm dhe u desht më shumë se një vit për ta kaluar në Parlament.
Johnson e përshkroi momentin si “fantastik”, i cili i jep fund ndasive disa-vjeçare duke i dhënë fuqi referendumit të vitit 2016 ku britanikët votuan pro largimit.
Marrëveshja përfundon një proces të vështirë negocimi me BE-në dhe i jep nisje bisedimeve për marrëdhëniet e ardhshme.
“Tani ne mund të ecim përpara si vend me […] mundësi më të mëdha dhe lëshimin e potencialit të çdo cepi të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa ndërtojmë një marrëdhënie të fortë të re me BE-në si miq dhe sovranë të barabartë”
Më parë projekt-marrëveshja për largimin e Britanisë nga BE-ja u nënshkrua këtë të premte edhe nga Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen, dhe Presidenti i Këshillit Charles Michel. Pas nënshkrimit të marrëveshjes Michel tha se “gjërat do të ndryshojnë në mënyrë të pashmangshme, por miqësia mes vendeve do të mbetet”.
Të enjten marrëveshja pati marrë pëlqimin mbretëror nga Mbretëresha. Tani, pas nënshkrimit edhe nga Kryeministri Johnson, ajo do të kalojë në Parlamentin Evropian për t’u votuar të mërkurën e ardhshme.