Një muaj pasi u sëmur nga Covid-19 Kryeministri britanik Boris Johnson do t’i rikthehet zyrës së tij.
Johnson thuhet se e ka mposhtur infeksionin dhe më 27 prill do të rinisë punën me kohë të plotë.
Mediat britanike e kanë cilësuar rikthimin e kryeministrit si lajm pozitiv dhe frymëzues për luftën kundër epidemisë.
Johnson, 55 vjeç, u infektua më 27 mars. Zyra e tij e shtypit u mundua ta përcillte gjendjen e tij shëndetësore me simptoma të lehta si kollë apo temperaturë.
Mirëpo javën e parë të muajit prill Johnson u detyrua të shtrohej në spital, ku për 3 netë pati nevojë për kujdes intensiv me oksigjen.
Gjatë periudhës që ishte në spital mjekët e këshilluan të mos merrej me çështje shtetërore dhe detyrën e tij e mori përsipër Sekretari i Jashtëm i Shtetit, Dominic Raab.
Rreth 150 mijë persona janë infektuar me Covid-19 në Britaninë e Madhe, prej tyre 20 mijë kanë vdekur.
Ndërkohë në rang botërorë janë rreth 3 milionë të infektuar dhe mbi 200 mijë viktima.