Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell priti të enjten kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin në një takim të paralajmëruar në Bruksel.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Borrell deklaroi se rruga evropiane e Kosovës kalon nga marrëveshja e normalizimit me Serbinë. Nuk ka rrugë alternative.
“Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e detyrueshme, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është thelbësore për të ecur drejt perspektivës evropiane. Pa të, rruga është e bllokuar,” u shprei ai.
Ai theksoi se dialogu nuk do të nis nga e para, pasi ajo cfarë ishte arritur nën qeverinë e mëparshme të Kosovës nuk mund të zhbëhej.
“Na duhet që ky proces të rifillojë së shpejti dhe kemi si synim të kemi takimin e parë para fundit të qershorit,” deklaroi Borrell.
Ndihma për Kosovën
I pyetur se si do të inkurajohet Kosova të angazhohet në dialog duke patur parasysh mosmbajtjen e premtimeve nga ana e BE, Borrell reagoi i indinjuar.
“Jam ngopur me historinë që BE-ja nuk mbështet sa duhet, nuk ndihmon Kosovën. Ka një listë të gjatë të mbështetjes dhe angazhimit financiar për t’i ofruar atyre një perspektivë të qartë të BE-së,” tha ai.
Më herët Borrell përmendi mbështetjen financiare prej 1.3 bilion € që Kosova ka marr qysh nga 2007.
Po ashtu shtoi edhe paketat e ndihmës prej 68 dhe 100 milion € gjatë pandemisë, si dhe sigurimin e 95 000 vaksinave antiCovid.
Ai theksoi se marrëvesja me Serbinë është në interesin e Kosovës mbi të gjitha.
Cështja “Non papers”
Shefi i diplomacisë europiane i quajti planet joformale mbi ripërcaktim të kufijëve në Ballkan, të shpërndara javët e fundit nga mediat në rajon, si lajme të rreme.
” Duket se janë në modë. Nëse nuk ke një non paper, nuk je askush,” ironizoi Borrell.
Borrell deklaroi se nuk punon me non papers dhe se media duhet të ketë kujdes kur shpërndan lajme të rreme që krijojnë mjedis armiqësor.