Bosnja përkujton 26 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë

Nga Exit News
Bosnja përkujton 26 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë

Bosnje dhe Hercegovina përkujton të dielën 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës ku mijëra burra dhe djem u vranë nga forcat ushtarake serbe.

Në Qendrën Përkujtimore Potoçari u varrosën eshtrat e 19 viktimave të tjera të masakrës, mes tyre edhe të një 16 vjeçari.

Identifikimi i viktimave dhe eshtrave vazhdon ende, 26 vite pas masakrës. Aktualisht në qendën përkujtimore janë varrosur mbi 6 650 viktima, 430 të mitur.

Kërkimet vazhdojnë ende për rreth 1 mijë të zhdukur.

Forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë më 11 korrik 1995 megjithëse ajo ishte shpallur zonë e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në pak ditë ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.

Zona ruhej nga paqeruajtësit holandezë të KB.  Në vitin 2019, një gjykatë holandeze konstatoi se Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për 350 vdekje në masakrën e Srebrenicës.

Masakra e Srebrenicës, është më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vite burg për këtë masakrër.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiç.

Serbia miratoi në 2010 një rezolutë ku kërkon falje për masakrën e Srebrenicës dhe ku thuhet se shteti serb duhet të bënte më shumë për ta ndalur atë.

Në parlamentin serb janë edhe dy rezoluta të tjera të cilat ende nuk janë futur në rend dite për diskutim. Njëra kërkon që Srebrenica të dënohet si krim ndërsa tjetra si gjenocid.

Masakra është dënuar si gjenocid nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Kosovës.

Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të përkujtimit të gjenocidit në të gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të veprojnë në mënyrë të ngjashme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>