Një nga dy ligjet e ndryshuara sipas paketës anti-shpifje, u botua sot në Fletoren Zyrtare duke e bërë të paqartë punën e autoriteteve në një kohë kur nisma është dërguar në Komisionin e Venecias për t’u shqyrtuar nëse shkel apo jo lirinë e shprehjes. Ligji hyn në fuqi më 18 shkurt.
Paketa anti-shpifje përfshin ndryshimin e 30 neneve të ligjit “për median audiovizive” dhe 4 neneve të ligjit për “për komunikimet elektronike”. Ndryshimet u miratuan në dhjetor 2019, por u kthyen për rishqyrtim nga Presidenti në janar me argument kryesor se ato cenonjnë lirinë e shprehjes.
Pasi këmbënguli se do t’i rimiratonte pa i ndryshuar, më 30 janar, qeveria tha se u tërhoq nga rivotimi i nismës me argumentin se do të priste opinionin e Komisionit të Venecias, kërkuar nga Këshilli i Evropës më 23 janar. Megjithatë një prej ligjeve është botuar sot në Fletoren Zyrtare, ligji “për komunikimet elektronike”.
Ky ligj i jep kompetenca Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) që të ekzekutojë vendimet e marra nga Këshilli i Ankesave dhe Bordi i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).
AKEP është autoriteti përgjegjës që administron adresat elektronike (domain-et) dhe sipas ndryshimeve ligjore – Neni 3 dhe Neni 4 – mund të detyrojë kompanitë që shërbejnë qasje në internet bllokimin e aksesit nëse vendos kështu AMA. Gjithashtu AKEP mund të gjobisë deri në 8,000 euro (1 milionë lekë) mediat që nuk i zbatojnë vendimet e AMA-s.
Këto propozime ligjore ishin kundërshtuar nga Presidenti me argumentin se “forca shtrënguese” përkundrejt mediave “rritet nën mbikqyrjen e njëpasnjëshme të dy organeve” – AMA-AKEP.
“[…] delegimi me ligj një organi administrativ [AKEP-it] i kompetencave që Kushtetuta nuk ia lejon, mungesa e transparencës në procedurën e vendimmarrjes, dhe aplikimi i sanksioneve disproporcionale dhe pa kaluar në shqyrtimin gjyqësor, nuk është në balancë mes interesit publik për mbrotjen nga lajmet/informacionet e rreme, dhe të drejtës për informim, lirisë së shprehjes dhe zhvillimit të aktivitetit ekonomik në fushën e publikimeve elektronike”.
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, njoftoi sot se kishte dërguar në Komisionin e Venecias, ndryshimet që ishin bërë me konsultim të saj rreth projekt-ligjeve. OSBE nuk ka specifikuar nëse ka konsultuar edhe ndryshimet e ligjit për komunikimet elektronike, por ajo ka kërkuar vazhdimisht respektimin e parimit të proporcionalitetit dhe gjoba më të ulëta për mediat.