Botohet në Fletoren Zyrtare ligji që fuqizon AKEP-in, pjesë e paketës anti-shpifje

Nga Exit News
Botohet në Fletoren Zyrtare ligji që fuqizon AKEP-in, pjesë e paketës anti-shpifje

Një nga dy ligjet e ndryshuara sipas paketës anti-shpifje, u botua sot në Fletoren Zyrtare duke e bërë të paqartë punën e autoriteteve në një kohë kur nisma është dërguar në Komisionin e Venecias për t’u shqyrtuar nëse shkel apo jo lirinë e shprehjes. Ligji hyn në fuqi më 18 shkurt.

Paketa anti-shpifje përfshin ndryshimin e 30 neneve të ligjit “për median audiovizive” dhe 4 neneve të ligjit për “për komunikimet elektronike”. Ndryshimet u miratuan në dhjetor 2019, por u kthyen për rishqyrtim nga Presidenti në janar me argument kryesor se ato cenonjnë lirinë e shprehjes.

Pasi këmbënguli se do t’i rimiratonte pa i ndryshuar, më 30 janar, qeveria tha se u tërhoq nga rivotimi i nismës me argumentin se do të priste opinionin e Komisionit të Venecias, kërkuar nga Këshilli i Evropës më 23 janar. Megjithatë një prej ligjeve është botuar sot në Fletoren Zyrtare, ligji “për komunikimet elektronike”.

Ky ligj i jep kompetenca Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) që të ekzekutojë vendimet e marra nga Këshilli i Ankesave dhe Bordi i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).

AKEP është autoriteti përgjegjës që administron adresat elektronike (domain-et) dhe sipas ndryshimeve ligjore – Neni 3 dhe Neni 4 – mund të detyrojë kompanitë që shërbejnë qasje në internet bllokimin e aksesit nëse vendos kështu AMA. Gjithashtu AKEP mund të gjobisë deri në 8,000 euro (1 milionë lekë) mediat që nuk i zbatojnë vendimet e AMA-s.

Këto propozime ligjore ishin kundërshtuar nga Presidenti me argumentin se “forca shtrënguese” përkundrejt mediave “rritet nën mbikqyrjen e njëpasnjëshme të dy organeve” – AMA-AKEP.

“[…] delegimi me ligj një organi administrativ [AKEP-it] i kompetencave që Kushtetuta nuk ia lejon, mungesa e transparencës në procedurën e vendimmarrjes, dhe aplikimi i sanksioneve disproporcionale dhe pa kaluar në shqyrtimin gjyqësor, nuk është në balancë mes interesit publik për mbrotjen nga lajmet/informacionet e rreme, dhe të drejtës për informim, lirisë së shprehjes dhe zhvillimit të aktivitetit ekonomik në fushën e publikimeve elektronike”.

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, njoftoi sot se kishte dërguar në Komisionin e Venecias, ndryshimet që ishin bërë me konsultim të saj rreth projekt-ligjeve. OSBE nuk ka specifikuar nëse ka konsultuar edhe ndryshimet e ligjit për komunikimet elektronike, por ajo ka kërkuar vazhdimisht respektimin e parimit të proporcionalitetit dhe gjoba më të ulëta për mediat.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>