Faqja Presheva Jonë pretendon se Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për një projekt-marrëveshje me 22 pika, e cila është hartuar me ndërmjetësimin e SHBA-ve, Rusisë dhe Francës, dhe ka botuar një tekst të pretenduar të saj.
Këtë lajm e kanë ripërcjellë Shenja TV e Maqedonisë, si dhe një sërë mediash online në Shqipëri.
Presheva Jonë nuk bën të njohur burimin e lajmit, duke u mjaftuar me referimin e papërcaktuar dhe të dyshimtë “persona nga vendimmarrja ndërkombëtare”.
Nisur nga mungesa e burimit, fakti që projekt-marrëveshja është botuar në një media dytësore, vetëm në gjuhën shqipe, me një gjuhë krejtësisht joformale teksti, dhe me përcaktime që duken si të kopjuara nga në marrëveshjet ndërkombëtare të shekullit të XIX, gjasat janë që teksti i supozuar të jetë spekullim dhe vetë lajmi rreth tij i pavërtetë.
Nëse është kështu, mund të bëhen dy hamendësime pse lajmi është hedhur në publik. Ai mund të jetë botuar me qëllim të testojë opinionin publik shqiptar, por edhe atë serb, nga palët e interesuara për shkëmbim territoresh, duke ofruar një variant ekstrem për të mundësuar më vonë një variant më të butë. Mundësia tjetër është që ai të jetë sajuar për të ngjallur reagim publik nga palë që e kundërshtojnë shkëmbimin e territoreve midis dy vendeve. Natyrisht, nuk përjashtohet mundësia që e gjitha të jetë përpjekje e medias për të bërë bujë dhe reklamë ndaj vetes.
Pas këtij sqarimi, Exit.al sjell në vijim një përmbledhje të pikave kryesore të projekt-marrëveshjes së botuar tek faqja Presheva Jonë.
– Marrëveshja me 22 pika është hartuar me ndërmjetësimin e SHBA-së, Rusisë dhe Francës.
– Kosova dhe Serbia do të njohin kufijtë e njëra-tjetrës dhe do të “bëhen anëtare të OKB-së në të njëjtën kohë”.
– Serbisë i kalon një pjesë e territorit në veriun e Mitrovicës.
– Kosovës i kalon një pjesë e territorit në Luginën e Preshevës.
– Mitrovica e mbetur do të bëhet “Qytet i Lirë” dhe do të qëndrojë kështu për të paktën 35 vjet dhe maksimumi për 99 vjet. Statusi “Qytet i Lirë” duket se e bën Mitrovicën një Bosnjë-Hercegovinë në miniaturë. Mitrovica do të qeveriset nga një presidium me tre presidentë: një serb, një shqiptar dhe një nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Mandati i presidiumin do të jetë 5-vjeçar. Mitrovica do të ketë parlamentin e saj me 55 deputetë: 25 serbë, 25 shqiptarë dhe 5 të caktuar nga presidenti i huaj. Mitrovica do të ketë polici, pasaporta, letërnjoftime dhe buxhet të vetin. Sigurinë e Mitrovicës do ta garantojë NATO.
– Bujanoci, i cili ndodhet sot në Serbi, por ka një pjesë të popullsisë shqiptare, do të bëhet “Distrikt i Veçantë” për të paktën 35 vjet, maksimumi për 99 vjet. Në mënyrë të ngjashme (por jo të njëjtë) me Mitrovicën, Bujanoci do të ketë presidium me tre president, parlament me 33 anëtarë të ndarë 15-15-3, polici të përzjerë, buxhet nga Serbia, Kosova dhe BE-ja. Letërnjoftimet dhe pasaportat do të mbajnë simbole të BE-së, po qytetarët duhet të marrin edhe pasaporta serbe ose kosovare, sipas dëshirës. Bujanoci bëhet zonë pa taksa.
– Baza ushtarake amerikane në Bujanoc do të ketë edhe 850 ushtarë me kombësi shqiptare dhe 850 me kombësi serbe. Ushtarët do të kenë status civil dhe këshillues.
– Qyteti i Medvegjës mbetet në Serbi. Kosovës i kalojnë disa fshatra pranë tij.
– Serbia dhe Kosova nuk do i kërkojnë njëra-tjetrën reparacione lufte, pra kompensim për vrasje dhe shkatërrime që secila palë ka shkaktuar në kurriz të tjetrës gjatë luftës.
– Miniera e Trepçës merr “status special”; atë do ta shfrytëzojë një bashkim kompanish amerikane, franceze, ruse dhe kineze për 99 vjet. “Kontributet” (sic) do të ndahen mes Mitrovicës, Serbisë dhe Kosovës.
– Liqeni i Ujmanit bëhet pronë e përbashkët “serbo-shqiptare” dhe administrohet nga një bashkim kompanish angleze dhe gjermane për 99 vjet.
– Shpërndarja e energjisë administrohet nga një bashkim kompanish amerikane, austriake dhe gjermane. Serbia merr 25 për qind të energjisë së prodhuar nga Liqeni i Ujmanit dhe Kosova mer 75 për qind.
– Patriarkana e Pejës, Kisha e Deçanit, Kisha e Prizrenit dhe Manastiri i Graçanicës marrin statuse të ndryshme si territore të Serbisë në Kosovë.
– Bashkësia e Komuna Serbe në Kosovë do të formohet. Ajo nuk do të ketë fuqi ekzekutive.
– Kufijtë midis dy vendeve do të kenë pika kontrolli të përbashkëta me policë të serbisë dhe të Kosovës.
– Serbia do të hyjë në BE në vitin 2021 ose 2022; Kosova deri në vitin 2030.
– Serbia do të përfitojë 3.5 miliardë euro në investime strategjike dhe në infrastrukturë nga një “Plan Marshall”; Kosova do të përfitojë 1.2 miliardë euro.
– Serbia dhe Kosova do të detyruara të pastrojnë tekstet shkollore nga gjuha raciste dhe poshtëruese brenda 10 viteve.
– Palët njohin pensionet dhe sigurimet e qytetarëve të shtetit tjetër.
– Marrëveshja garantohet nga KS-OKB, BE dhe NATO.
Mbeten për t’u negociuar edhe tri pika:
– Serbia kërkon ta njohë Kosovën brenda Serbisë me emrin “Kosova dhe Metohija”, ndërsa në OKB do ta njohë si “Kosovo”.
– I ndalohet secilit shtet të bashkohet me një shtet apo territory tjetër për 99 vjetët e ardhshme.
– Palët detyrohen të votojnë njësoj për çështje të caktuara në OKB. Është e paqartë se për çfarë çështjesh bëhet fjalë.
Sipas informacionit të pakonfirmuar të botuar, palët duhet të bien dakord për të gjitha pikat e marrëveshjes deri më 15 maj 2019. Marrëveshja do të firmoset në periudhën midis 28 qershorit dhe 13 korrikut 2019. Marrëveshja dhe ndryshimet kushtetuese përkatëse do të miratohen nga parlamentet e të dy vendeve deri në fund të tetorit. Marrëveshja do të nisë të zbatohet më 1 nëntor 2019.