Më në fund Kryeministri Rama kuptoi që nuk mund të vazhdonte më me qasjen e deritanishme, ndaj e ka futur makinën qeveritare në një seri lëvizjesh me marsh mbrapa, pa i pranuar publikisht si të tilla, por gjithsesi shumë domethënëse për marrëdhënien me komunitetin e biznesit.
E para ka të bëjë me taksimin e biznesit të vogël duke e hequr cdo lloj takse për bizneset që kanë të ardhura të ulëta dhe taksim me 5 përqind ( nga7,5 përqind që ishte) për ato biznese që kanë të ardhura vjetore midis 2 dhe 8 milion lekësh.
E dyta dhe pse ende vetëm si ndryshim i propozuar ne komisionet e Kuvendit, ka të bëjë me zvogëlimin nga 3 vjet në 1 vit burg për mungesën e dhënies së kuponit tatimor.
E treta ka të bëjë me llotarinë me kuponin tatimor në vend fushatës së persekutimit fiskal.
E katërta ka të bëjë ndalimi i kontrollove të inspektorët që bridhnin ngado për të kërkuar evazorë të mundshëm.
E pesta ka të bëjë me eliminimin tërësor të tarifës së skanerit në dogana për nënkontraktuesit.
E gjithë kjo tërheqje duket një sinjal pozitiv dhe lehtësues kundrejt kapakut të plumbit që kishte rënë mbi prespektivën ekonomike të vendit pas një sërë aksionesh të vrullshme dhe të papjekura në mënyrë të veçantë në fushën fiskale.
Por për të vlerësuar masa të tilla është e nevojshme të lexosh me kujdes ligjet përkatëse, sepse, siç thuhet shpesh, djalli qëndron në detaje. Mbi të gjitha është e nevojshme të shikohet ligji i buxhetit vjetor, për të kuptuar nëse objektivat fiskale të qeverisë janë të arritshme apo jo.
Javën e shkuar të gjitha mediat njoftuan se në mbledhjen e saj të fundit, qeveria kishte aprovuar projektbuxhetin e vitit 2016. Sipa mediave ky projekt buxhet parasheh 418 miliardë lekë të ardhura dhe 454 miliardë lekë shpenzime, pra rritje e të ardhurave me pesë përqind dhe ulje të shpenzimeve korrente me rreth 1 një përqind. Një mbledhje e shpejtë tregon një defiçit të planifikuar prej rreth 8 përqind, pra më të lartë se ai i planifikuar apo realizuar deri tani, fakt ky i cili ngre një sërë dyshimesh për aftësinë për të financimin e tij (gati 260 milion euro) në këtë moment.
Të gjithë filluan të duartrokasin, por për projektbuxhetin befas nuk gjendet asnjë gjurmë, as në faqen online të Kryeministrisë, as në atë të Ministrisë së Financave dhe as në atë të Kuvendit. Vetëm në Shqipëri buxheti (ligji më i rëndësishëm) ruhet si sekret dhe pas aprovimit nga qeveria.
Por një pyetje lind vetvetiu, çfarë ka aprovuar qeveria? Çfarë dokumenti kanë votuar 15 ministrat?
Apo mbase qeveria e ka aprovuar projektbuxhetin përpara se ta shkruante, apo më mirë, përpara se të vendoste ta shkruante?
Përse opozita nuk thotë asgjë? Është papërgjegjshmëri apo bashkëpunim?