Bregu i Lumit, policia largon me dhunë banorët nga shtëpitë e tyre

Bregu i Lumit, policia largon me dhunë banorët nga shtëpitë e tyre

Policia po largon me forcë nga shtëpitë e tyrë banorët në zonën e Bregut të Lumit, pasi projekti i Bulevardit të Ri parashikon shembjen e tyre.

Që në orët e para të mëngjesit, policia filloi të nxjerrë banorët nga shtëpia, për t’i hapur rrugën fadromave. Policia i ka marrë dhe telefonat banorëve, në mënyrë që ata të mos kenë mundësi t’i filmojnë. Madje policia nuk po lejon as gazetarët të filmojnë dhe raportojnë. Sipas banorëve, sot forcat e policisë janë më të shumta se një javë më parë. Të pranishëm në vendngjarje, në mbrojtje të banorëve janë dhe ish-deputetët e Partisë Demokratike.

Projekti i Bulevardit parashikon shembjen e 38 shtëpive në këtë zonë, 7 prej të cilave u prishën javën e kaluar, pas orësh të tëra përplasje fizike me banorët. Gjatë shembjes së tyre, policia përdori gaz lotsjellës për të nxjerrë banorët nga shtëpitë. Katër banorë u lënduan nga gazi dhe përplasjet me policët, dhe morën ndihmë mjekësore në spital.

Banesat e këtyre familjeve nuk janë të legalizuara, ndaj bazuar në vendimin e Qeverisë Rama, familjet nuk përfitojnë shpronësim me dëmshpërblim të banesës.

Praktika për të përjashtuar ndërtimet informale nga shpronësimi kundrejt dëmshpërblimit, filloi të zbatohej nga Qeveria Rama që prej ardhjes së saj në pushtet në vitin 2013.

Rasti i parë kur ajo e aplikoi këtë qasje ishte faza e parë e projektit të Bulevardit të Ri, ku banesat në gjurmën e Bulevardit u përjashtuan nga legalizimi dhe ende sot nuk kanë marrë dëmshpërblim.

Kjo qasje, siç kemi shpjeguar këtu, ndryshon nga ajo e përdorur deri në vitin 2013, ku çdo çdo banesë që prekej nga ndonjë projekt publik dëmshpërblehej pavarësisht nëse ishin të ligjshme apo jo.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>