Britani e Madhe, izolim nga koronavirusi vetëm për të moshuarit

Nga Exit News
Britani e Madhe, izolim nga koronavirusi vetëm për të moshuarit

Britania e Madhe do t’u kërkojë të moshuarve që të mbyllen në shtëpi deri sa të kalojë pandemia e koronavirusit.

Qeveria e Boris Johnson kërkon që kushdo që është mbi 70 vjeç të izolohet në mënyrë që të mos sëmuret nga infeksioni Covid-19, ndërkohë që industria prodhuese ta zhvendosë aktivitetin në prodhimin e respiratorëve për spitalet.

Sipas tabloidëve britanikë, spitalet kanë vetëm 5 mijë respiratorë, të cilët janë të pamjaftueshëm nëse epidemia përfshin në një shkallë të gjerë edhe Britaninë.

Kjo është e para masë serioze që po ndërmerret nga autoritetet britanike në një kohë kur Evropa është kthyer në epiqendër të pandemisë botërore.

Të premten Kryeministri Boris Johnson u shpreh se rreth 60 për qind e popullsisë së Britanisë do të preken nga koronavirusi dhe se “shumë prej tyre do të humbasin të dashurit”.

Megjithatë ai mbrojti qasjen për një shtet të hapur pa vetëizolim duke argumentuar se “infektimi i 60 për qind të popullsisë do të rrisë imunitetin për situatën që do të vijë”.

Në Britani nga 40 mijë testime të kryera prej mesit të muajit shkurt, janë diagnostikuar me koronavirus rreth 1 400 persona, prej të cilëve 35 kanë vdekur.

Në këtë situatë qeveria e Johnson ka vendosur të kategorizojë personat të cilëve do t’u kryejë analizat me prioritet: pacientët me sëmundje kronike nga mushkëritë, personat që kanë vuajtur sëmundje të mushkërive dhe rrethet e kontakteve të atyre që rezultojnë të infektuar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>