Britania lejon përzierjen e vaksinave anti-Covid

Nga Exit News
Britania lejon përzierjen e vaksinave anti-Covid

Britania e Madhe do lejojë qytetarët të vaksinohen me dy doza vaksinash të ndryshme anti-covid, në raste të rralla, megjithëse ende nuk ka studime që tregojnë se bashkimi i vaksinave jep imunitet.

Në ndryshim nga strategjitë e vendeve të tjera, qeveria britanike ka thënë se njerëzve mund t’u jepet një përzierje dozash, për shembull në ato raste kur nuk ka më stok të vaksinës së parë që qytetari ka marrë.

“(Nëse) e njëjta vaksinë nuk është e disponueshme, ose nëse produkti i parë i marrë është i panjohur, është e arsyeshme të ofrohet një dozë e produktit të disponueshëm në vend për të përfunduar vaksinimin,” shkruhej në udhëzimin e qeverisë.

Mary Ramsay, drejtuesja e imunizimeve në Shëndetin Publik në Angli, tha se kjo do të ndodhte vetëm në raste jashtëzakonisht të rralla dhe se qeveria nuk po rekomandonte përzierjen e vaksinave, të cilat kërkojnë të paktën dy doza të dhëna disa javë larg njëra-tjetrës.

“Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për t’u dhënë qytetarëve të njëjtën vaksinë, por kur kjo nuk është e mundur është më mirë të jepet një dozë e dytë e një vaksine tjetër sesa asnjë,” tha ajo.

Deri më sot, Britania e Madhe është vendi i parë në botë që ka miratuar dy vaksina: atë të prodhuar nga Pfizer/BioNTech dhe atë të prodhuar nga AstraZeneca/Oxford.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>