Britania ndihmon Indinë me 1000 ventilator shtesë

Nga Exit News
Britania ndihmon Indinë me 1000 ventilator shtesë

Mbretëria e Bashkuar vendosi të dielën të dërgojë në Indi edhe 1000 ventilator, për të ndihmuar në krizën e rëndë të koronavirusit, raporton BBC.

Zyrtarët e shëndetit dhe shkencëtarët britanik janë në kontakt me homologët indian për të ndihmuar me situatën.

Mbretëria e Bashkuar do të jetë gjithmonë pranë Indisë në kohën e saj të nevojës,” dekalroi kryeministri Boris Johnson.

Ai shtoi se ishte “thellësisht i prekur” nga mbështetja e britanikëve për Indinë dhe i kënaqur që Britania ka luajtur rolin e saj në shpëtimin e jetëve atje.

Johnson gjithashtu njoftoi se të martën do të zhvillonte një takim virtual me kryeministrin indian, Narendra Modi për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Të dielën, India regjistroi numrin më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi prej fillimit të pandemisë – 3,689 viktima.

Një ditë më parë, vendi regjistroi më shumë se 400,000 raste të reja brenda 24-orësh.

Ndërkohë, pesë milion doza të vaksinës Oxford-AstraZeneca, të prodhuara në Indi dhe të destinuara për në Mbretërinë e Bashkuar, po mbahen në vend deri në përfundim të kontrolleve.

Britania po përballet me presione në rritje që të lejojë Indinë të përdorë ngarkesën për nevojat e veta aktualisht.

Sekretari i Jashtëm, Dominic Raab u shpreh se Britania do të “shihte me shumë kujdes” çdo kërkesë për vaksina nga India.

Një këshilltar shkencor i qeverisë, Prof Peter Openshaw, sugjeroi se do të ishte e përshtatshme të lejohej India të përdorë këto doza.

Raab tha për BBC One se: “Marrëdhënia indiane është shumë e rëndësishme për ne dhe padyshim që do të dëshironim të bashkëpunonim shumë ngushtë së bashku“.

Sekretarja e Jashtme, Lisa Nandy tha se Mbretëria e Bashkuar “mund dhe duhet të bëjë më shumë” për të ndihmuar Indinë.

Ka lidhje të gjata dhe të thella mes nesh dhe Indisë, që do të thotë se ne duhet të rritemi dhe të sigurojmë më shumë pajisje, më shumë mbështetje,” shtoi ajo.

Ndihma e parë nga Britania prej 200 ventilatorësh, 495 bombula oksigjeni dhe tre njësi gjeneruese oksigjeni , pritet të mbërrijë në Indi të martën.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>