Duke nisur nga dita e enjte në Britaninë e Madhe do të nisë testimi te njeriu i një tipi vaksine ndaj Covid-19.
Lajmin e njoftoi në një konferencë për shtyp Sekretari i Shtetit për Shëndetësi dhe Kujdes Social, Matthew Hancock.
“Në kushte normale, arritja në këtë fazë do të kërkonte vite, prandaj jemi shumë krenar për këtë ecuri.”
Britania është në pararojë të luftës kundër Covid-19. Dy nga disa prej projekteve më shpresëdhënëse të zhvillimit të një vaksine në botë janë duke u kryer në Britani.
Qeveria britanike ka vënë në dispozicion mbi 22 milionë paundë për programet e zhvillimit dhe krahas kësaj do të financojë direkt fabrikat e prodhimit të tyre, në mënyrë që të mos humbet kohë.
Të martën autoritetet shëndetësore raportuan 828 viktima në Britani, duke e çuar totalin në 17 378 vdekje ndërsa të infektuar janë 130 mijë persona.