Pas 47 vitesh si një nga bashkëthemelueset e Bashkimit Evropian, Mbretëria e Bashkuar la zyrtarisht unionin mbrëmjen e së premtes.
Lëvizjet pro dhe kundër largimit e kaluan momentin historik rrugëve dhe shesheve kryesore britanike, teksa për daljen nga BE-ja në rezidencën e Kryeministrit Boris Johnson pati edhe numërim së prapthi.
Largimi nga BE-ja u vendos rreth 4 vite më parë me referendum. Rreth 52% e 33,5 milionë britanikëve që votuan ishin pro largimit.
Konkretizimi i vullnetit popullor detyroi nisjen e negociatave të vështira me BE-në për një marrëveshje. Negociata rrëzuan dy qeveri konservatore nën drejtimin e dy kryeministrave të ndryshëm David Cameron dhe Theresa May.
Më pas u desht më shumë se një vit për ta kaluar marrëveshjen në Parlament. Kryeministri Johnson shpërndau një video mesazh në Facebook duke e quajtur Brexit “lindje e një epoke të re për Britaninë e Madhe”.
Në Skoci Brexit nuk u prit mirë. Në Edinburg qindra qytetarë kënduan himin e Bashkimit Europian në shesh. Skocia mund të mbetet në BE në qoftë se ajo shpall pavaresi nga Mbretëria e Bashkuar.
Me largimin e saj, Mbretëria e Bashkuar tërhiqet pas 47 vitesh qëndrim në BE, një projekt i pas-Luftës së Dytë Botërore që synonte ringritjen e vendeve të rrënuara të Europës dhe kthimin e kontinentit në një fuqi botërore.
Largimi u prit me festë, sidomos nga Nigel Farage, drejtues i fushatës së daljes së Britanisë nga BE-ja dhe ish-eurodeputet. Fishekzjarre dhe flamuj të shumtë u pane në sheshet kryesore të Londrës.
“Ne u përballëm me një sistem që nuk donte të na dëgjonte, që nuk e donte referendumin e që është përpjekur prej 3 vite e gjysmë të pengojë vullnetin e mandatit më demokratik që ky vend ka pasur. Kjo është lëvizja më e madhe gjeopolitike e Britanisë së Madhe që nga humbja e influencës globale.”
Disa pjesëmarrës në festime dogjën flamurin e BE-së. Ndërsa pati përplasje me ata që nuk e donin largimin nga unioni.