Bullgaria bllokon Maqedoninë e Veriut, mbështet kuadrin negociues për Shqipërinë

Nga Exit News
Bullgaria bllokon Maqedoninë e Veriut, mbështet kuadrin negociues për Shqipërinë

Bullgaria refuzoi të martën, në mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE-së të miratojë kornizën e negociatave të Bashkimit Evropian për Maqedoninë e Veriut, duke bllokuar efektivisht fillimin zyrtar të bisedimeve të pranimit për vendin fqinj.

Sipas Reuters, Ministrja e Jashtme Ekaterina Zaharieva tha se Bullgaria nuk mund të mbështesë tani për tani fillimin e negociatave të pranimit midis BE-së dhe Shkupit për shkak të mosmarrëveshjeve të hapura mbi historinë dhe gjuhën, por mbeti e hapur për bisedime.

“Bullgaria, në këtë fazë, nuk mund të mbështesë draftin e kornizës së negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare,” tha ajo pasi ministrat e BE diskutuan temën në një takim online.

Zaharieva tha se Bullgaria mbështeste kornizën e negociatave për Shqipërinë.

Fillimi zyrtar i bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pritej të bëhej në një konferencë ndërqeveritare në dhjetor.

Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë atëherë iu desh të prisnin deri në mars të këtij viti për të marrë një dritë jeshile për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE pasi Franca kishte shprehur skepticizëm në 2019 lidhur me zbatimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit.

Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe katër vende të tjera të Ballkanit Perëndimor – Bosnja, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia – po përpiqen të bashkohen me BE pas luftërave etnike të viteve 1990 që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Bullgaria kërkon garanci nga Maqedonia e Veriut se nuk do të ketë asnjë pretendim për një pakicë maqedonase në Bullgari. Ajo gjithashtu dëshiron që dokumentet zyrtare të BE-së të shmangin përmendjen e “gjuhës maqedonase”, e cila thotë se rrjedh nga bullgarishtja.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>